Fabregas ia siguroi Wilshere fanellën e Messit - Gazeta Express
string(46) "fabregas-ia-siguroi-wilshere-fanellen-e-messit"

Futboll

Gazeta Express

25/06/2026 12:59

Fabregas ia siguroi Wilshere fanellën e Messit

Futboll

Gazeta Express

25/06/2026 12:59

Jack Wilshere ka zbuluar se fanella e Lionel Messit, një nga kujtimet më të çmuara të karrierës së tij, përfundoi në duart e tij falë ndihmës së ish-kapitenit të Arsenalit, Cesc Fabregas.

Ish-mesfushori anglez zhvilloi një nga ndeshjet më të mira të karrierës në vitin 2011, kur Arsenali mposhti Barcelonën 2-1 në Ligën e Kampionëve. Në atë takim, Wilshere impresionoi duke dominuar mesfushën përballë emrave si Xavi, Andres Iniesta dhe Sergio Busquets.

Pas ndeshjes, ai kishte vetëm dy objektiva: të siguronte fanellat e Xavit dhe Lionel Messit. Fanellën e Xavit e mori vetë, por për atë të Messit iu desh ndihma e Fabregasit.

“Pas ndeshjes i thashë Cescut se doja fanellën e Messit. Ai më tha: ‘Shko kërkoja vetë’. Por unë i thashë: ‘Jo, nuk mund t’i flas’. Atëherë ai shkoi dhe ma mori. Më pas më qortoi për këtë, por gjëja më e rëndësishme ishte se e mora fanellën”, tregoi Wilshere.

Fabregas më vonë e ngacmoi publikisht shokun e skuadrës në rrjetet sociale, duke shkruar se Wilshere kishte pasur frikë t’i kërkonte vetë fanellën argjentinasit.

Wilshere iu përgjigj me humor: “Ti ishe kapiteni, ishte detyra jote të kujdeseshe për lojtarët. Faleminderit! Herën tjetër do të shkoj pas fanellës së mikut tënd, Iniestës.”

Sot, fanella ikonike me numrin 10 e Lionel Messit ruhet nga djali 14-vjeçar i Wilshere, Archie, një tifoz i madh i futbollit.

“Archie e ka varur fanellën e Messit në dhomën e tij. Për momentin është në rregull, por shumë shpejt do ta marr përsëri”, tha ish-reprezentuesi anglez.

Wilshere pranoi se ka një koleksion të madh fanellash nga karriera, përfshirë ato të Steven Gerrard, Paul Scholes dhe Frank Lampard, por fanella e Messit mbetet më e veçanta.

“Për mua, Messi është lojtari më i madh i të gjitha kohërave. Pikërisht për këtë arsye fanella e tij zë vendin e parë në koleksionin tim”, përfundoi ai. /GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement