Enver Hasani nuk tërhiqet: Diploma që prezentoi Avni Puka është fiktive - Gazeta Express
string(70) "enver-hasani-nuk-terhiqet-diploma-qe-prezentoi-avni-puka-eshte-fiktive"

Enver Hasani nuk tërhiqet: Diploma që prezentoi Avni Puka është fiktive

Lajme

Gazeta Express

21/06/2023 13:01

Profesori Enver Hasani vazhdon të këmbëngulë se dekani i Fakultetit Juridik Avni Puka nuk e ka të kryer doktoraturën në në Universitetin “La Sapienza” në Itali. Edhe pse Avni Puka prezentoi një diplomë dhe tha se do ta ndjek ligjërisht Hasanin për deklaratat e tij, profesori Enver Hasani i tha Gazetës Express se diploma në fjalë është fiktive.

Gazeta Express publikoi të hënën letrën që profesori Enver Hasani ia ka dërguar rektorit të UP-së Qerim Qerimit në të cilën pohon se  autoritetet e Universitetit “La Sapienza” ia kanë konfirmuar se Avni Puka nuk ka kryer doktoratë në këtë institucion, deri më tani nuk kemi asnjë reagim nga rektori Qerimi e as nga ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci.

Lexo Edhe:

Sidoqoftë, Enver Hasani këmbëngulë që diploma që ka prezentuar sot Avni Puka është fiktive dhe e njëjta po prezantohet për herë të parë në publik.

“Ky duhet të jap fakultetin, numrin e kredive , titullin e temës! vitet e studimeve!  Asnjë këtu nuk janë! Kjo diplomë për herë të parë prezantohet në publik dhe nuk ekziston në asnjë dosje të Fakultetit Juridik dhe MASHT. Është fiktive”, tha profesori Hasani të mërkurën në një përgjigje për Gazetën Express.

Ai thotë se duhet kërkohet përgjigje nga Avni Puka se përse nuk ka kërkuar asnjëherë nostrifikim.

“Pyetja që duhet t’i bëhet Avniut është kjo: pse nuk e ke pasur në dosjet në Juridik dhe në MASHT dhe pse nuk ke kërkuar asnjëherë nostrifikim?”, u shpreh Hasani për Gazetën Express.

Në këtë rast, Puka ka thënë se akuza e Hasanit “përbën shpifje të rëndë, përhapje të thashethemeve e gënjeshtrave në publik, vetëm me qëllim që të dëmtoj imazhin, reputacionin dhe autoritetin tim personal e profesional, dhe imazhin e institucionit, përkatësisht Fakultetit Juridik dhe vetë UP-së.”

Ai ka paralajmëruar se do t’i ndjek rrugët ligjore për këtë rast.

Në anën tjetër Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), në krye me Rron Gjinovcin, kanë shprehur shqetësim për denoncimin që ka bërë profesori Enver Hasani ndaj dekanit të Juridikut Avni Puka, i cili sipas Hasanit ka mashtruar sepse nuk ka doktoraturë të kryer në Universitetin “La Sapienza” në Itali.

ORCA vlërëson se denoncimi i profesorit Hasani është “mjaftë serioz” si dhe ka kërkuar që ky rast të trajtohet në instancat më të larta të UP-së.

Prokuroria Themelore e Prishtinës nuk ka kthyer përgjigje nëse kanë nisur hetime ndaj denoncimit që ka bërë Hasani.