Energji vëllazërore, KESH’i ua kthen dritën kosovarëve - Gazeta Express
string(52) "energji-vellazerore-keshi-ua-kthen-driten-kosovareve"

Gazeta Express

15/08/2022 17:54

Energji vëllazërore, KESH’i ua kthen dritën kosovarëve

Gazeta Express

15/08/2022 17:54

Kryealajmi i 24 orëve të fundit ishte kthimi i reduktimeve të rrymës në Kosovë për shkak të çmimeve të larta në tregjet ndërkombëtare dhe që KEK nuk po arrinte të prodhonte sa duhet  për t’i mbuluar nevojat. Kur erdhi një reagim nga qeveria Kurti, të hënën, nuk u dhanë shumë shpresa, më shumë u bë thirrje për kursim se sa për ndonjë ide për të dalë nga situata. Por, gjithçka ndryshoi në orët e pasditës kur u njoftua se nga reduktimet kosovarët do t’i shpëtojë Shqipëria, Korporata Elektroenergjetike e Shqipërisë (KESH), që do të sjellë rrymën që mungon aktualisht në Kosovë.

Që nga 15 gushti në Kosovë do të ketë reduktime të energjisë elektrike. Me këtë lajm jetuan kosovarët rreth 24 orë, në një ditë të nxehtë gushti.

Lexo Edhe:

“6 orë me rrymë e 2 orë pa të”, njoftonte KEDS, të dielën përmes një komunikate për media qytetarët që kanë përvojë të keqe në dekadat e fundit me furnizimin me rrymë.

Në atë komunikatë, KEDS-i tregonte  se pse do të ketë mungesë të rrymës. Përmendet çrregullimi i çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

“Deri tek kjo situatë ka ardhur për shkak të çmimeve enorme që ekzistojnë në tregjet ndërkombëtare dhe mosmbulimit të kostos së sistemit. Kjo ka sjellë situatë të rëndë financiare edhe për KOSTT-in, të cilën ENTSO nuk e lejon më të bëjë devijime. Kjo bën që secila kërkesë mbi prodhimin vendor të kufizohet në pamundësi të mbulimit nga importi”, thuhet në njoftim.

Si KEDS-i mendonte edhe Ministria e Ekonomisë për sa i përket faktorit të jashtëm – çrregullimit të çmimeve.

Por Ministria e Ekonomisë e kishte një kritikë për KEDS-it – “po vidhet rryma e kjo po ndikon më pas”, ishte akuza e ministrisë së drejtohet nga Artane Rizvanolli.

“Humbjet komerciale (të shkaktuara nga vjedhjet) dhe teknike të Kompanisë KEDS janë 19%. Këto humbje ende mbulohen nga të gjithë, pra prodhimi ose importi, jo nga vet KEDS-I”, thuhej në njoftimin e Ministrisë së Ekonomisë.

Por ndryshe nga Ministria e Ekonomisë dhe KEDS që krizën e shohin përtej mundësive lokale – opozita mendonte ndryshe, gishtin e vendosin e drejtoi menjëherë kah Qeveria.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), madje të hënën thirri  konferencë të jashtëzakonshme, pikërisht për çështjen e rrymës.

Aty u akuzua Qeveria e Albin Kurtit për keqmenaxhim të energjisë elektrike.

“Fatkeqësisht, në një vend me qeverisje të paaftë, depresive e të papërgjegjshme, siç është qeveria e Albin Kurtit, kjo është asgjë më pak sesa manifestim i keqmenaxhimit,  i cili, për faktin që po ndodhë tash kur nuk është dashur as të paramendohej, rrezikon të bëhet normë, atëherë kur edhe mund të presim përkeqësim të situatës me furnizim të energjisë elektrike gjatë dimrit”,  tha Bernard Nikaj, anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës.

E kritikë ka pasur edhe nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku – ajo është marrë direkt me Albin Kurtit.

Sipas saj, energjia është beteja e vërtetë, e jo “luftërat në mendjen e kryeministrit”.

“6-2 orari i reduktimeve në mes të Gushtit, kur niveli i konsumit është i ultë. Mund ta marrim me mend se si do të jetë dimri në Kosovë këtë vit. Dikush duhet me dhanë përgjegjësi për sabotimet e njëpasnjëshme të secilit projekt i cili do të rriste pavarsinë energjetike të Kosovës”, ka shkruar Çitaku në Facebook, të hënën.

E një ditë më parë, Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), e ka cilësuar ekzekutivin e Kurti si “pa plan” e “pa ide”.

“Po futemi drejt theqafjes, me një Qeveri që s’ka plan e as ide si të na kapërcejë përtej dimrit më të vështirë ndonjëherë. Ndonëse do t’i bëjë dy vjet pa lënë asnjë shenjë, e edhe me një dimër të vështirë, ata do të shërbehen me arsyetimet e zakonshme tashmë për 20 vjet”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

E këtë situatë si shqetësuese e pa edhe Besnik Tahiri, shef i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Ai pohoi se Kurti është duke përdorur metoda psikologjike për t’i mësuar qytetarët të jetojnë edhe pa rrymë gjatë dimrit.

“Paralajmërimi i reduktimeve në pikë të verës, është asgjë më shumë se paralajmërim i një fushate psikologjike të Qeverisë Kurti. Është thirrje që të bëhemi gati për një dimër të gjatë. Është test i durimit, është test i manovrimit, është test i mashtrimit”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

Kriza energjetike.

Kosova gjatë dimrit të kaluar është përballur me reduktime të ashpra të energjisë elektrike.

“Shtrenjtim të rrymës ose reduktime”, thoshte Kurti në Kuvendin e Kosovës, duke mos dhënë ndonjë opsion tjetër.

Më pas, Qeveria e Kosovës ndau rreth 100 milionë euro për energjinë – por tash ka raportime që ato para veç janë premtuar – pra “s’janë ekzekutuar”.

Kryeministri i Kosovës ende nuk është deklaruar. Ka preferuar të flas për një luftë potenciale me Serbinë.

“Ne jemi të shqetësuar, por jo të frikësuar”, ka thënë Kurti gjatë një interviste për Financial Times teksa ka kërkuar mbështetjen e perëndimit në raport me Serbinë.

E në Serbi, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq është pyetur nëse “retorika e Kurtit ndaj Beogradit është për ta mbuluar krizën energjetike”

“Nuk dua ta komentoj këtë”, ishte përgjigjija e shkurtër e Vuçiqit.

Mungesa e rrymës ka pasoja

Sa herë ka pasur mungesë të rrymës ka reaguar komuniteti i biznesit.

Mungesa e rrymës e dëmton sektorin e prodhmit si dhe atë të shërbimit.

Prej mungesës së energjisë variojnë një mori segmetesh që e determinojnë direct përformancën ekonomike të një vendi.

E jo vetëm në Kosovë, por edhe në Evropë kaën nisur diskutimet se çfarë pasoja do të ketë një krizë e tillë energjetike.

Lajm i mirë nga Shqipëria – evitohen reduktimet

Por, pa u bërë 24 orë, kur kosovarët nisën të adaptohen me lajmin se do të kenë rrymë ndërprerje të rrymës, një lajm I mirë erdhi nga Ministria.

Ata njoftuan se KEK do të bashkëpunojë me Korporatën Elektroenergjetike e Shqipërisë për yë siguruar rrymën që nevojitet.

Nuk dihet se çfarë aranzhmani është bërë por bashkëpunime të tilla janë bërë edhe në të kaluarën.

Madje për Vitin e Ri që shkoi, Shqipëria i kishte dhënë rrymë Kosovës pa pagesë.

“Kjo sasi do i kthehet pas Shqipërisë nga Kosova në sezonin e verës gjatë periudhës nga qershori në shtator kur vendi ndodhen ne thatësi dhe ka mungesë të rezervave hidrike”, thoshte Ministrja shqiptare. Por, Kosovës duket se nuk i shkuan punët si duhet dhe në mes të gushtit mbeti pa energji