Ende s’ka datë për rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi - Gazeta Express
string(52) "ende-ska-date-per-rifillimin-e-dialogut-kosove-serbi"

Lajme

Gazeta Express

29/11/2020 14:52

Ende s’ka datë për rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi

Lajme

Gazeta Express

29/11/2020 14:52

Bashkimi Evropian ende nuk ka caktuar një datë për rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi. Në kryeqendrën evropiane thonë se takimi i radhës i nivelit të lartë do të thirret sa më shpejtë që të krijohen kushtet, e një gjë të tillë e pohojnë edhe nga Qeveria e Kosovës. Ndërsa, Lëvizja Vetëvendosje po kërkon stopim të tërësishëm të dialogun në këto rrethana politike.

Zëdhënësi kryesor për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Peter Stano në një përgjigje për KosovaPress, nuk i bënë të ditura cilat tema do të trajtohen në takimin e radhës në Bruksel, por thotë se së shpejti do të caktohet data dhe agjenda.

Lexo Edhe:

“Dialogu, pas rifillimit të tij në korrik, po vazhdon dhe po avancon me takime në nivel ekspertësh dhe të nivelit më të lartë politik. Takimi i radhës i dialogut të nivelit të lartë do të thirret në Bruksel sa më shpejt që të jetë e mundur, varësisht kur lejojnë kushtet. Kur bëhet fjalë për takime në nivel ekspertësh, ne do të shpallim datën dhe agjendën e takimit të ardhshëm kurdo që është situata e përshtatshme”, thotë ai.

E këshilltarja politike e kryeministrit Hoti, Antigona Baxhaku thotë për KosovaPress, se takimet e radhës në Bruksel po diktohen vetëm nga pandemia Covid 19, e jo nga ndonjë pengesë tjetër.

“Tani për tani nuk ka asnjë datë të propozuar për takimet  e radhës, sepse gjithçka po diktohet nga situata me pandeminë C-19. Përndryshe grupet punuese janë duke i vazhduar përgatitjet për takimet e grupeve teknike, sapo të krijohen rrethanat. Nuk ka asnjë pengesë tjetër”, u shpreh ajo përmes një përgjigje me shkrim për KosovaPress.

Zgjidhja më e mirë për deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi është që vetëm pas zgjedhjeve të reja të rifillojë dialogu me Serbinë.

“Zgjidhja më e mirë në këto rrethana është që të stopohet ky dialog. Të kemi një qeveri e cila është e fortë, ka legjitimitet dhe buron drejtpërdrejtë nga vullneti i qytetarëve. Përndryshe qeveria Hoti nuk e ka as mundësitë, as numrat, as dijen e asgjë për të mbrojtur interesin e Kosovës në këtë proces”, thotë ai.

Ndërkaq, Allen Meta nga D4D thotë  se dialogu duhet të rinisë,  pasi asnjëra prej dy vendeve nuk e luksin të mbajnë konfliktin e ngrirë ndërmjet veti.

“Dialogu është zgjidhja më e mirë e problemeve. As Kosova, e as Serbia nuk e kanë luksin të mbajnë një konflikt të ngrirë ndërmjet veti. Për të mirën e qytetarëve ,e po ashtu për të ardhmen e dy vendeve brenda BE-së është shumë i rëndësishëm”, thotë ai.

Takimi në muajin shtator ka qenë i fundit ndërmjet kryeministrit Avdullah Hoti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq. Fillimisht u shpërfaqën dallimet për themelimin e Asociacionit të komunave serbe në Kosovë, e së fundi me arrestimin e ish krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale pati kërkesa që të pezullohet dialogu edhe nga vet partnerët e koalicionit qeverisës.