Ekzekutimi mafioz me armë me silenciator në Elbasan, dëshmitë, pistat dhe makina e djegur - Gazeta Express

Shqiperi

Gazeta Express

11/05/2021 22:23

Ekzekutimi mafioz me armë me silenciator në Elbasan, dëshmitë, pistat dhe makina e djegur

Shqiperi

Gazeta Express

11/05/2021 22:23

Vrasja në lagjen “Skënderbej” tronditi mbrëmjen e sotme qytetin e Elbasanit. Ishte ora rreth 20:10 dhe sapo kishte rënë nata kur Everest Çakës iu bë pritë teksa po shkonte te shtëpia e prindërve të bashkëshortes duke u qëlluar disa herë me pistoletë me silencitaor. Goditjet ishin fatale për 41-vjeçarin që njihej me dy emra (Everest dhe Ibrahim Çaka) duke ndërruar jetë në vend, ndërsa bashkëshortja e tij, Silvana ka marrë një plagë në dorë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Alarmi dhe dëshmitë

ABC mëson nga ka qenë gruaja e viktimës që e alarmuar ka dalë me shpejtësi nga makina duke kërkuar ndihmën e banorëve të zonës për të njohur policinë dhe ambulancën, që pavarësisht përpjekjes nuk arritën që të mbanin në jetë bashkëshortin e saj. Disa prej banorëve të zonës i thanë ABC-së se nuk kishin dëgjuan të shtëna duke shtyrë hetuesit të dyshojnë se ekzekutimi është kryer me silenciator.

Kontrollet

Menjëherë pas vrasjes në Elbasan shkoi drejtori i policisë së shtetit Ardi Veliu. Policia njofton se janë ngritur pika kontrolli në hyrje – daljet në qytetin e Elbasanit dhe vijon kontrolli i zonës. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ndodhet në vendngjarje dhe  vijon puna për zbardhjen e plotë të shkakut dhe rrethanave të ngjarjes si dhe identifikimin e  kapjen e autorit/ve, çka nuk do të jetë aspak e lehtë, pasi zanafilla mund të jetë vite më parë dhe ndoshta larg Elbasanit. Në ndihmë të drejtuesit të prokurorisë së Elbasanit Kreshnik Ajazi janë edhe zyrtarë dhe ekspertë të lartë të drejtorisë së policisë së shtetit.

Pistat dhe e shkuara e viktimës

Për të folur për pista konkrete është ende herët, pasi po administrohen provat, por nga tryeza e ekspertëve të grupit hetimor prokurorisë së Elbasanit nuk mund të përjashtohet hakmarrja. Everest Çaka 12 vite më parë ka qenë i arrestuar nga policia e Elbasanit për ekzekutimin e Gëzim Alikajt te Ura e Zaranikës në Elbasan.

Rreth dy orë pas ekzekutimit të Everest Çakës mbrëmjen e sotme në Elbasan është gjetur një makinë e djegur në Kavajë, e cila paraprakisht dyshohet se u përket autorëve të vrasjes.

Makina tip “Benz” pa targa, në flakë është gjetur në fshatin Kryemëdhenj.

Dyshohet se kanë qenë dy autorë që kanë qëlluar në drejtim të çiftit Çaka.