Ekspertët gjermanë në janar vijnë në Kosovë për sigurimet shëndetësore - Gazeta Express
string(70) "ekspertet-gjermane-ne-janar-vijne-ne-kosove-per-sigurimet-shendetesore"

Gazeta Express

18/12/2019 13:56

Ekspertët gjermanë në janar vijnë në Kosovë për sigurimet shëndetësore

Gazeta Express

18/12/2019 13:56

Në janarin e vitit 2020, një grup prej disa ekspertëve nga Gjermania do të zbarkojë në Kosovë. Ky grup pritet t’u ndihmojë autoriteteve vendore në implementimin e skemës për sigurimet shëndetësore. Skemë kjo e cila që disa vite iu mungon kosovarëve

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, gjatë ditës së sotme e ka pranuar një letër zyrtare nga homologu i tij gjerman, Jens Spahn. Përmes kësaj letre, ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, konfirmoi gatishmërinë e shtetit pjesë e të cilit ai është, për ndihmë ndaj Kosovës në krijimin e sigurimeve shëndetësore.

Bashkëpunimi në mes të Fondit të Sigurimit Shëndetësor të Kosovës dhe Fondit të Sigurimit Gjerman, AOK, i cili do të nisë menjëherë në janar të vitit 2020, është një rezultat i një memorandumi të përbashkët të mirëkuptimit që u nënshkrua në korrik të këtij viti.

Gjatë një konference për media të mbajtur sot nga Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, dhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, Ministri Ismaili ka thënë se kjo marrëveshje bashkëpunimi është një hap i madh drejt realizimit të sigurimeve shëndetësore.

 “Një ditë jashtëzakonisht e mirë dhe e rëndësishme për shëndetësinë kosovare. Tani po nisim bashkëpunimin konkret me Gjermaninë për të funksionalizuar Fondin e Sigurimit Shëndetësor, projekt ky që buron nga marrëveshja e nënshkruar në korrik me ministrin gjerman Spahn”, ka thënë ministri Ismaili. Sipas ministrit Ismaili projekti do të ndahet në dy faza, e para nga të cilat do të fillojë në janar të vitit 2020.

Në anën tjetër, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, theksoi: “Jemi krenarë që pas punës intensive të të dy ministrive tona të shëndetësisë, janë harmonizuar hollësitë e bashkëpunimit tonë në ngritjen e Fondit të Sigurimit Shëndetësor të Kosovës. Ne jemi të bindur që me një përkushtim të madh të Qeverisë së Kosovës dhe punën e përbashkët të të gjithë akterëve të përfshirë, mund të arrihet përparim thelbësor për qytetarët”.

Advertisement
Advertisement
Advertisement