Egokratët e vegjël të Kosovës - Gazeta Express
string(29) "egokratet-e-vegjel-te-kosoves"

Egokratët e vegjël të Kosovës

Gazeta Express

18/12/2019 11:38

Iku vera, vjeshta pas saj, tani po vjen dimri dhe Kosova vazhdon të jetë pa qeveri. Dikush mund të thotë se kemi qeverinë në largim të Haradinajt, por ky argument bie para faktit se ne, edhe kur e kemi qeverinë në kapacitet të plotë veprues e vendimmarrës, gjërat nuk shkojnë për së mbari, e lëre më kur kemi qeveri në largim. Arsyeja është shumë e thjeshtë : ata që janë në të ikur, nuk kanë asnjë motiv për të bërë ndonjë punë serioze. Krejt preokupimi i tyre, në ditët para largimit, është si t’i shijojnë, për të fundit herë, luksin abuziv të zyreve të tyre, ndonjë benefit të posteve apo ndonjë udhëtim turistik me paret e shtetit, si pjesëmarrës në ndonjë tryezë koti, diku në Europë, Azi apo Amerikë.

Blerim Latifi

Lexo Edhe:

Për një vend të zhytur në probleme të mëdha, të të gjitha natyrave, gjëndja e mungesës gjashtë mujore të qeverisë, është skandal e shkuar skandalit. Është një kontribut esencial në shkatërrimin e plotë të imazhit të Kosovës, si një shtet që ka shpresë për t’u bërë normal dhe funksional.

Tash po i afrohemi ndërrimit të motmoteve dhe vendi hyn në vitin 2020 pa ligjin bazik të funksionimit të shtetit, i cili është Ligji i Buxhetit. Dikush, prapë, mund të thotë se teknikisht kjo nuk paraqet rrezik, sepse ekziston hapësira ligjore e cila mundëson financimin e funksioneve vitale të institucioneve, por zgjidhja teknike nuk e kompenson dot dëmin politik, i cili konsiston në imazhin e një shteti që edhe buxhetin e tij ka problem ta kalojë në Kuvend.

Pastaj ankohemi se nuk po na marrin seriozisht të tjerët, e se punët në politikën e jashtme po na ecin mbrapsht. Nuk mund të ndodhë ndryshe! Nuk mund të qëndrosh mirë në politikën e jashtme, gjatë kohës kur në politikën e brendshme gjërat të rrjedhin si mos më keq. E shkaku i kësaj nuk do shumë mend, për t’u kuptuar. Është shkaku i vjetër, historik, tradicional : pasionet e luftës për pushtet, të cilat me forcën e tyre e errësojnë çdo interes tjetër, qoftë ai edhe shtetëror e kombëtar.

Ata që deri dje derdhnin lot për “gjëndjen e vështirë të shtetit”, sot po vazhdojnë avazin e vjetër të vendosjes së pushtetit mbi interesat e shtetit. Vetëvendosja dhe LDK-ja ka dy muaj e më shumë që sorollaten zyreve të njëra tjetrës dhe nuk gjejnë dot formulën për të bashkëqeverisur, në bazë të rezultatit që morrën në zgjedhjet e 6 Tetorit.

Janë pajtuar për progamin qeverisës, por nuk po merren vesh për ndarjen e pushtetit dhe në këtë mes fajtorë janë askush tjetër përveçse dy liderët e partive në fjalë.

Isa Mustafa ngulë këmbë për të marrë presidencën, sepse nuk do të mbetet pa gjë në një qeveri ku bën pjesë partia të cilën ai e udhëheq. Kuptohet se presidenca për të do të ishte një përmbyllje e lavdishme e një karriere të gjatë politike, një finish i lavdishëm i një marshimi të gjatë nëpër postet e ndryshme, nga fundi i viteve ’70 të shekullit të kaluar, e deri me sot.

Nga ana tjetër, Kurti e ka hallin e postit të tij, atij të kryeministrit. Brenga e tij është se si të mos përfundoj si kryeministër i rrëzuar, vetëm pas një viti e dy muajve, kur Kosova duhet të zgjedhë presidentin e ri.

Kjo brengë është reale, kur dihet se në rast të dështimit të zgjedhjes së presidentit, parlamenti shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja të përgjithshme.

Me numrat ekzistues që kanë në parlament, VV dhe LDK nuk do të mund ta zgjedhin presidentin, sepse do të bllokohen nga opozita në raundin e dytë të votimit, kur duhet që në sallë të jenë prezentë 80 deputetë, të cilët këto dy parti nuk i kanë. Ato nuk do të kenë rastin të shkojnë në raudin e tretë, kur për t’u zgjedhur presidenti, janë të nevojshëm vetëm 61 deputetë në sallën e Kuvendit.

Kurti e di këtë, prandaj është vënë në kërkim të një figure konsensuale, e cila do të merrte mbështetjen e të gjitha partive dhe, rrjedhimisht, do të shpëtonte edhe kokën e tij, si kryeministër.

Ideja e një presidenti që merr besimin e të gjithëve në Kuvend, është ide e mirë, por qëllimi për të cilin tani është hedhur kjo ide, është thjesht dhe vetëm shpëtimi i Kurtit nga rrëzimi.

Natyrisht, kjo nuk përbën ndonjë zbulim ; është diçka që e dinë të gjithë, përfshirë edhe vetë Isa Mustafën. Pra, i tërë ngërçi aktual rreth koalicionit qeverisës mes VV-së dhe LDK-së lidhet me paramendimin e situatës  së zgjedhjes së presidentit të ri në shkurtin e vitit 2021. Se si do të zgjidhet ky ngërç, mbetet të shihet.

Mundësi të shumta janë përpara, që nga zgjerimi i koalicionit, i cili natyrisht kërkon rishpërndarje të posteve, pastaj kërkimi i aleatëve të tjerë, pastaj thirrja e shpëtimtarit, i cili banon në Dragodan dhe prej andej mund të sjellë zarfin magjik.

Edhe ashtu është kohë krishtlindjesh, kur fëmijët presin babadimrin me dhurata, ndërsa besimtarët e krishterë kremtojnë lindjen e shpëtimtarit të njerëzimit, Jezu Krishtit.

Natyrisht ekziston edhe mundësia e mundësive: prishja totale e lojës dhe shkuarja në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme. Emëruesi i përbashkët i të gjitha këtyre variantave është fakti se Kosova vazhdon të vuaj nga një klasë politike, e paaftë për ta vënë në binarë shtetin dhe shoqërinë.

Nga egokratë të vegjël, të cilët nuk binden dot se ka jetë edhe përtej egos së tyre.