Edhe vrasësit e mitur janë viktima - Gazeta Express
string(34) "edhe-vrasesit-e-mitur-jane-viktima"

Edhe vrasësit e mitur janë viktima

OP/ED

Gazeta Express

22/01/2024 15:24

Për çdo krim që kryejnë të miturit, aq sa janë përgjegjës kryesit e veprave të tilla, aq janë familja dhe shoqëria përgjegjës – pos në raste patologjike

Pal Shtufi

Lexo Edhe:

Duke i lexuar e dëgjuar disa piskamë njerëzish, të cilët kërkojnë varje publike për të miturit kriminelë, logjikshëm vijmë në përfundim pse kemi kaq shumë të mitur e të rinj kriminelë në shoqërinë tonë. Janë pikërisht këto thirrje, të cilat dëshmojnë se kush qëndron prapa të miturve kriminelë.

Jo më pak se një profesor nga Parisi, Nezir Kraki, kërkon ligj mesjetar për të miturit tanë. Kërkon varje publike të fëmijëve të edukuar keq, të edukuar keq nga prind të papërgjegjshëm e nga shkolla sa për të thënë. Si ta quajmë këtë derëzi, i cili jeton në Paris e vendit tonë i propozon ligje antinjerëzore?

Kemi edhe të tjerë profesorë e “intelektualë” brenda Kosovës, të cilët po ashtu kërkojnë vdekjen për të mitur, por këta, duke e ditur që iu mungon kontakti me mendësinë europiane, po i amnistoj nga krahasimet.

Kthejeni pllakën për së mbari!

Ata dy të mitur që vranë një 18 vjeçar në Podujevë, janë produkt i shoqërisë dhe i familjes. Ata dy të mitur vetëm duart i kishin të vetat kur goditën për vdekje Luzimin e ndjerë. Bindjet, edukimin, modelin, trurin, kanunin, shkollën dhe gjithçka tjetër i kishin të kësaj shoqërie patriarkale. 


Praktikat evropiane thonë:  kur të miturit bëjnë vepra kaq makabre, atëherë për rreth 60 për qind të këtyre veprave përgjegjëse është shoqëria dhe familja. Në Evropë, sa herë ndodhin gjëra të tilla, në të gjitha familjet hapen debate me fëmijët dhe bisedohet me ta për secilin detaj. Po ashtu, në të gjitha shkollat mbahen ligjërata speciale rreth këtyre temave, duke i trajtuar dhe duke nxjerrë mësime për të miturit dhe adoleshentët. SA dhe SI bëhen debate te ne për ngjarje të tilla?

Çka do të thotë kur:  

– Një shoqëri e armatosur, e cila feston duke shkrepur armët, si në dasmë, ashtu edhe në darka shoqërore, a është shoqëri në ecje prapthi?

– Një shoqëri, shkollat e të cilës i dominon gangsterllëku, nepotizmi dhe sharlatanizmi edukativ dhe arsimor, a është shoqëri në ecje prapthi?

-Një shtet, i cili nuk vë dorë mbi shkollat, duke i reformuar ato e duke i nxjerrë nga kanunizmi tradicional, a është shtet në ecje prapthi?

Prandaj, për të evituar anomali të këtyre përmasave që ndodhin në Kosovë, puna e parë është që të shihet saktë ku fshihet shkaku dhe shkasi i veprave të tilla. Dënimet që pasojnë nga gjykatat, ndëshkojnë, por nuk evitojnë ngjarje të tilla. Në anën tjetër, masat edukative dhe arsimore, të cilat duhet t’i ndërmerr familja dhe shteti, ato japin efekte parandaluese.

Për shembull, ministria e arsimit do duhej t’i alarmonte shkollat për të mbajtur ligjërime speciale për këtë rast. Mbase do duhej të jepte udhëzime me shkrim se çka dhe si të flitej me adoleshentët dhe të miturit për këtë tragjedi, sepse vetëm ligjërimet me takt pedagogjik mund të arrijnë qëllimin e dëshiruar.

Nuk duhet harruar, për çdo krim që kryejnë të miturit, aq sa janë përgjegjës kryesit e veprave të tilla, aq janë familja dhe shoqëria përgjegjës – pos në raste patologjike.

Edukimi dhe arsimimi i fëmijëve nuk është punë e lehtë, siç është puna e gjykatave kur dënojnë kriminelët.