Edhe pas rigjykimit shpallet fajtor për korrupsion ish-komandanti policor në Novobërdë - Gazeta Express
string(86) "edhe-pas-rigjykimit-shpallet-fajtor-per-korrupsion-ish-komandanti-policor-ne-novoberde"

Gazeta Express

12/12/2019 12:40

Edhe pas rigjykimit shpallet fajtor për korrupsion ish-komandanti policor në Novobërdë

Gazeta Express

12/12/2019 12:40

Gjykata Themelore në Gjilan, ashtu si në gjykimin e parë, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj ish-komandantit të Stacionit Policor në Novobërdë, Shukri Aliu, i akuzuar për veprat penale “marrja e ryshfetit” dhe “moslajmërim i veprave penale apo kryesve të tyre”.

Për veprën penale “marrja e ryshfetit”, trupi gjykues me kryetar, Naser Maliqi, i ka shqiptuar dënim prej gjashtë muajsh burgim, si dhe gjobë në shumë prej 500 euro.

Lexo Edhe:

Kurse, për veprën penale “moslajmërim i veprave penale apo kryesve të tyre”, gjykata i ka shqiptuar dënim me gjobë prej 1000 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykata, të akuzuarit Shukri Aliu, i ka shqiptuar dënimin unik, ashtu që, i njëjti është dënuar me gjobë prej 1500 euro, shumë të cilën detyrohet ta paguajë brenda 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Kurse, dënimi me burgim nuk do të ekzekutohet nëse në afat prej një viti nuk kryen vepër tjetër penale.

Po ashtu, gjykata e ka obliguar atë që të paguajë paushallin gjyqësor prej 50 euro, si dhe shumën prej 50 euro për fondin e viktimave.

Ndaj këtij aktgjykimi, sipas gjykatësit Maliqi, palët kanë të drejtën e ankesës në Gjykatën e Apelit brenda afatit ligjor.

Ky rast, më 26 shkurt 2019, është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, pas aprovimit të ankesës së mbrojtësit të të akuzuarit Shukri Aliu, avokat Ymer Huruglica, kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Gjilan, sipas të cilit të akuzuarin Shukri Aliu e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me dënim unik me gjobë në shumë prej 1500 euro, si dhe dënim me burg në kohëzgjatje prej 180 ditësh, të cilin dënim me burg nuk do ta mbaj nëse në afat prej një viti nuk kryen vepër tjetër penale.

Me rastin e atakimit të aktgjykimit të Gjykatës Themelore të Gjilanit, të 5 dhjetorit 2018, dhe aprovimit të ankesës së mbrojtësit të të akuzuarit Aliu, si dhe sipas detyrës zyrtare, Gjykata e Apelit ka vendosur që çështja në fjalë të kthehet në rigjykim për shkak të konstatimit se aktgjykimi i shkallës së parë është nxjerrë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe se i njëjti nuk është përpiluar konform nenit 370 të Kodit të Procedurës Penale.

Ndaj aktgjykimit të shkallës së parë, ankesë kishte ushtruar edhe Prokuroria Themelore në Gjilan.

Mirëpo, sipas Apelit, për shkak të anulimit të aktgjykimit të shkallës së parë, ankesa e prokurorisë sa i përket vendimit mbi dënim, tani për tani është jo lëndore.

Në këtë rast, për veprën penale “mbajtje në pronësi, në kontroll, ose posedim te paautorizuar të armëve”, dhe “importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”, akuzohej edhe Ivan Dikiq, por që ai kishte arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë, me ç’rast ishte veçuar procedura ndaj të bashkakuzuarit Shukri Aliu.

Për të dy veprat penale, Gjykata Themelore në Gjilan, më 6 mars 2018, ndaj të akuzuarit Dikiq ishte shqiptuar dënim unik prej një viti burgim me kusht, në afat verifikimi prej dy vjetësh.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Gjilan, më 26 dhjetor 2017, Shukri Aliu akuzohet për veprën penale “marrja e ryshfetit”, nga neni 428 paragrafi 1 dhe veprën penale “moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre”, nga neni 386 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 nën paragrafi 1.6 dhe 1.9 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, më 2 shtator 2017, i pandehuri Shukri Aliu, në cilësi të personit zyrtar-Komandant i Stacionit Policor në Novobërdë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka pranuar dhuratë-dru për ngrohje në sasi rreth 5m³, për zbulimin e vjedhjes së pyllit në pronësi të Naser Mehmetit nga Gjilani.

Siç thuhet në aktakuzë, Ivan Dikiq i kërkon një traktor me dru nga Naser Mehmeti për të pandehurin Shukri Aliu, me arsyetimin se i njëjti e kishte zbuluar vjedhjen e malit të Naser Mehmeti, i cili përmes Ivan Markoviq dhe Ivan Dikiq, ia dërgon të pandehurit sasinë e druve dhe përmes telefonit ai e njofton tani të akuzuarin duke i thënë: “Përshëndetje shoq, punën ta kryta, drutë ia dhash Ivanit me ti pru, dhe i pandehuri thotë faleminderit”.

Shukri Aliu, gjithashtu akuzohet se gjatë periudhës kohore 22 korrik deri më 23 korrik 2017, përmes telefonit komunikon me të pandehurin Ivan Dikiq, dhe nga i njëjti mëson se pa leje valide është duke poseduar armë të zjarrit dhe se të njëjtën do ta përdorë në një dasmë, e cila armë gjatë bastisjes është sekuestruar.

Gjithnjë sipas aktakuzës, po ashtu i akuzuari Aliu nga i pandehuri Ivan Dikiq mëson se i njëjti është duke mbajtur në bashkësi jashtë martesore personin nën moshën 16 vjeç edhe pse si person zyrtar, komandant i Stacionit Policor në Novobërdë, mëson për këto dy vepra, të njëjtat nuk i lajmëron.