AFC i bashkohet UEFA-s dhe CONCACAF-it, kundërshton planin e FIFA-s për shitjen e aksioneve të Kupës së Botës.
Konfederata Aziatike e Futbollit (AFC), e përbërë nga 47 federata anëtare, ka deklaruar se ka “shqetësime serioze” lidhur me propozimin e FIFA-s për të shitur aksione minoritare të Kupës së Botës tek investitorë privatë.
Më herët, edhe UEFA dhe CONCACAF, që së bashku përfaqësojnë 96 federata anëtare, e kishin kundërshtuar publikisht planin e presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, të prezantuar të martën.
UEFA madje ka paralajmëruar se mund të bojkotojë si Kupën e Botës për meshkuj, ashtu edhe atë për femra, nëse ky projekt avancon.
FIFA synon të sigurojë mbi 20 miliardë dollarë përmes investimeve private në një kompani të re të quajtur FIFA Forward Enterprise (FFE). Grupi kryesor i investitorëve pritet të udhëhiqet nga kompania amerikane Thrive Capital, në pronësi të Joshua Kushner, vëllait të Jared Kushner, dhëndrit të Donald Trump.
Infantino u ka premtuar çdo federate anëtare që mbështet projektin një pagesë prej 30 milionë funtesh, me afat vendimmarrjeje deri më 19 shtator.
Nënkryetarja e UEFA-s, Laura McAllister, e cilësoi këtë ofertë si “një formë shantazhi”, ndërsa UEFA deklaroi se Kupa e Botës “nuk mund të trajtohet si një produkt investimi”.
Edhe CONCACAF, që administron futbollin në Amerikën e Veriut dhe Qendrore, konfirmoi se federatat e saj anëtare e kanë refuzuar propozimin e FIFA-s, megjithëse nuk ka kërcënuar me bojkot.
FIFA reagoi në orët e para të së premtes me një deklaratë të gjatë në mbrojtje të planit të saj, por presioni ndaj qeverisë botërore të futbollit dhe presidentit Infantino vazhdon të rritet.
Tashmë edhe AFC, ku bëjnë pjesë federata si Japonia, Australia, Koreja e Jugut, Katari dhe Arabia Saudite, ka bërë të ditur se “qëndron në solidaritet me UEFA-n dhe CONCACAF-in duke shprehur shqetësime serioze” për këtë projekt.
“Fakti që situata ka arritur deri aty sa mundësia reale e bojkotimit të Kupës së Botës është bërë pjesë e diskutimit publik duhet të shqetësojë këdo që e do të ardhmen e futbollit. Futbolli nuk duhej të vendosej kurrë në një pozitë të tillë”, thuhet në deklaratën e AFC-së.
“Duke marrë parasysh qëndrimet e qarta të UEFA-s dhe CONCACAF-it, si dhe përçarjet e paprecedenta që janë krijuar në futbollin botëror, AFC beson se projekti i propozuar i FIFA Forward Enterprise nuk mund të sigurojë konsensusin dhe unitetin e nevojshëm për të ecur përpara.
Kupa e Botës është kulmi i futbollit global dhe fuqia e saj buron nga pjesëmarrja e të gjitha konfederatave dhe vendeve më të mira të futbollit. Çdo propozim që rrezikon unitetin dhe karakterin universal të këtij kompeticioni duhet të rishqyrtohet.”
AFC kritikoi gjithashtu mënyrën se si FIFA e ka trajtuar këtë proces, duke pretenduar se federatat, organet drejtuese dhe konfederatat janë ndier “të anashkaluara”.
“Synimi kryesor i futbollit botëror duhet të jetë që vendime të kësaj rëndësie të zhvillohen përmes proceseve transparente, që gëzojnë besimin e komunitetit të futbollit.
Nuk është hera e parë që palët kryesore përballen me iniciativa madhore pasi drejtimi i tyre duket se është vendosur paraprakisht. Një qasje e tillë dëmton besimin te sistemi i qeverisjes së FIFA-s dhe zvogëlon autoritetin e organeve të saj statutore.
Asnjë proces konsultimi i mëvonshëm, sado me qëllim të mirë të jetë, nuk mund ta zëvendësojë përfshirjen e hershme të organeve përkatëse të FIFA-s dhe të familjes së futbollit.
AFC beson se ky moment duhet të shërbejë si katalizator për forcimin e reformave institucionale.”
Konfederata aziatike i bëri thirrje FIFA-s që të ndërmarrë një rishikim urgjent të mënyrës së qeverisjes dhe vendimmarrjes, në mënyrë që propozimet me rëndësi globale të zhvillohen përmes konsultimeve të duhura, angazhimit kuptimplotë dhe mbikëqyrjes nga organet statutore të FIFA-s.
Në fund të deklaratës thuhet: “Kupa e Botës dhe vetë loja i përkasin gjithë familjes globale të futbollit. E ardhmja e tyre duhet të ndërtohet gjithmonë në mënyrë kolektive, përmes institucioneve që pasqyrojnë zërin e të gjitha konfederatave dhe federatave anëtare”.
Qëndrimi i AFC-së konsiderohet vendimtar, pasi do të thotë se FIFA dhe Gianni Infantino nuk mund të sigurojnë më shumicën e votave të nevojshme për miratimin e projektit të investimeve private.
Nëse të gjitha federatat e UEFA-s, CONCACAF-it dhe AFC-së e refuzojnë propozimin, atëherë kundër tij do të jenë gjithsej 142 federata anëtare (duke përjashtuar Ishujt Veriorë Mariana, të cilët janë pjesë e AFC-së, por jo anëtarë të FIFA-s), nga 211 federata që aktualisht njihen nga FIFA./GazetaExpress/