Pas sulmit ndaj një qytetari nga qentë endacakë pranë Urës së Ibrit gjatë ditës së djeshme, në Mitrovicë dyshohet se ka nisur helmimi i qenve endacakë.
Aktivistë për mbrojtjen e kafshëve kanë ngritur alarmin për helmime masive të qenve në pjesë të ndryshme të qytetit, derisa thonë se institucionet nuk kanë reaguar pavarësisht raportimeve të bëra.
Në një bashkëbisedim për KosovaPress, një aktiviste për mbrojtjen e kafshëve në Mitrovicë deklaroi se situata është alarmante dhe se disa qen janë gjetur në gjendje të rëndë pranë Urës së Ibrit.
Ajo tha se ishte telefonuar nga qytetarët dhe kishte dalë në vendin e ngjarjes, ku kishte parë disa qen të helmuar.
“Jam e shokuar, ende nuk po mundem me ardh në vete. Kam shkuar në vendin e ngjarjes dhe e kam parë qenin në çfarë gjendje ka qenë. E kemi lajmëruar policinë, por nuk është ndërmarrë asgjë. Na kanë thënë të telefonojmë në 112, por as aty nuk kemi marrë ndihmë”, tha ajo.
Sipas saj, në vendin e ngjarjes kanë qenë të pranishëm edhe pjesëtarë të KFOR-it dhe karabinierët pranë Urës së Ibrit, të cilët kishin parë gjendjen e qenve.
Aktivistja tha se disa prej qenve kanë arritur t’i shpëtojnë, ndërsa një qen tjetër kishte qenë në gjendje shumë të rëndë.
Ajo shtoi se ky nuk është rasti i parë i helmimit të qenve në Mitrovicë.
“Ky është ndoshta rasti i katërt ose i pestë që helmohen qentë në qytetin tonë. Na kanë njoftuar se mungojnë edhe rreth 20 qen. Disa janë parë të ngordhur. Po mungojnë qentë te Kisha Ortodokse dhe në pjesë të tjera të qytetit, qen që i kemi sterilizuar dhe ushqyer me mjetet tona. Unë së bashku me një kolege kemi arritur t’i shpëtojmë rreth 5-6 qen, por ende nuk dihet numri i saktë i qenve të helmuar”, deklaroi ajo.
Aktivistja ngriti shqetësim edhe për përdorimin e helmeve në hapësira publike, duke thënë se ato paraqesin rrezik edhe për qytetarët.
“Shkallët tek Ura e Ibrit kanë qenë përplot me helm. Kemi foto dhe video, por askush nuk po na merr parasysh. Aty kalojnë fëmijë, gra shtatzëna dhe qytetarë të tjerë. Ky helm nuk ndikon vetëm te qentë, por edhe te njerëzit”, tha ajo.
Sipas saj, aktivistët kanë kontaktuar Komunën e Mitrovicës përmes emailit dhe rrjeteve sociale, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje.
Ajo shtoi se mungesa e reagimit institucional po e rëndon edhe më shumë situatën me qentë endacakë në qytet.
/Kosovapress
Opel Corsa Hybrid Edition në Foleja Motors vjen si një zgjedhje ideale për ata që kërkojnë një veturë moderne,...