Prekë Tunës, shef i Sektorit të Operativës në Stacionin Policor në Pejë, dhe Nexhat Gutiqit, shef i Sektorit Rajonal për Operativ në Pejë, iu është caktuar masa e “Ndalimit të afrimit të personit apo vendit të caktuar”. Të njëjtit pezullohen nga puna.
“Kërkesa e Prokurorisë ka qenë që me ju ndalu me iu afru personit apo vendit të punës edhe kjo masë është aprovu prej Gjykatës, saktësisht gjyqtarit të procedurës paraprake. Gjithashtu, është edhe masa e pezullimit nga puna- edhe për këtë është aprovu kërkesa”, konfirmoi për “Betimi për Drejtësi“, Shkodran Niçki- zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Pejë.
Tuna dhe Gutiq u ndaluan të shtunën e 21 qershorit për 48 orë me aktvendim të Prokurorisë Themelore në Pejë. Ndalimi i tyre është bërë pas nisjes së hulumtimit të rastit nga “Betimi për Drejtësi”.
Ndryshe, ndalimi i dy eprorëve të Policisë në Pejë ishte konfirmuar nga prokurorja Valbona Disha – Haxhosaj.
“Prokuroria Themelore në Pejë është e përkushtuar të zbardhë të gjitha rrethanat e këtij rasti dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për të siguruar drejtësi. Nuk do të tolerojmë asnjë shkelje të ligjit, pavarësisht nga pozita apo funksioni i të dyshuarve”, ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, prokurorja Valbona Disha Haxhosaj.
Prokuroria kishte konfirmuar se ka ndërmarrë veprime pasi ka marrë informacionin nga “Betimi për Drejtësi”.
“Emailin e parë e kemi pranuar përmes një emaili nga ‘Betimi për Drejtësi’, me ç’rast i gjithë ky rast ka rezultuar si pasojë e kësaj informate dhe deri më tani dy persona janë të arrestuar”, ka thënë zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.
Të dy eprorët dyshohen për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”. Ndërkaq, ndaj biznesmenit Sali Devolli është iniciuar rast për “Pengim të personit zyrtar”.
Emisioni hulumtues i “Betimit për Drejtësi”- “Policia e Pejës “hesht” rastin e biznesmenit Devolli“, i cili nxiti reagimin e institucioneve, është transmetuar të shtunën më 21 qershor. Ky hulumtim ka zbardhur të gjitha detajet e rastit që çuan në arrestimin e dy eprorëve dhe hedh dritë mbi mosveprimet e zyrtarëve të Policisë në Pejë.
Hulumtimi ngrit dyshime serioze për ndërhyrje të mundshme në procedurë të një rasti dhe shmangie nga detyrat zyrtare nga eprorët dhe zyrtarët policorë të Stacionit Policor në Pejë.
Gjetjet e hulumtimit të “Betimit për Drejtësi” tregojnë se personi i përfshirë në rast ka raport shoqëror me eprorët policorë.
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), të premten, afër dy javë pas interesimit të Betimit për Drejtësi në këtë institucion, ka rekomanduar suspendimin e Prekë Tunës, shef i Sektorit të Operativës në Stacionin Policor në Pejë, dhe Nexhat Gutiqit, shef i Sektorit Rajonal për Operativ në Pejë.
“Pritet që, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Pejë, të ndërmerren edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast”, thuhej në komunikatën e IPK-së.
Prokuroria Themelore në Pejë dhe Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), kanë lëshuar një komunikatë të përbashkët për medie të shtunën, duke bërë të ditur se dy zyrtarët policorë janë arrestuar dhe ndaluar për 48 orë, të dyshuar për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Sipas komunikatës, hetuesit e IPK-së kanë vepruar në koordinim të plotë dhe me autorizim të Prokurorisë së Pejës, duke ndërmarrë veprime hetimore intensive, përfshirë intervistimin e të dyshuarve dhe personave të përfshirë në rast.
Rasti, i cili ka ndodhur më 28 maj, është hulumtuar zyrtarisht nga “Betimi për Drejtësi” që nga 3 qershori, ndërsa IPK është njoftuar më 9 qershor, ku pastaj, sipas detyrës zyrtare, ky institucion ka filluar procesin e grumbullimit të informacioneve dhe ka kërkuar nga Policia e Kosovës një kopje të dosjes së rastit./BetimipërDrejtësi