Trajneri i xhudos, Driton Kuka, e ka goditur kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetin, për shkak të lokacionit të statujës së Majlinda Kelmendit. Kuka tha më tutje se Kelmendit do të mundë t’i ndërtohet statujë në Prishtinë kur të vijnë politikanë që s’u pengon kjo statujë.
Kampiones së vetme Olimpike të Kosovës, Majlinda Kelmendit, iu përurua në Pejë, në fund të muajit shkurt, shtatorja e saj, e ndërtuar nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos, falë sukseseve të saj në arenën globale në këtë sport, raporton Gazeta Express.
Kjo statujë e xhudistes kosovare është ndërtuar nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos, ndërsa për lokacionin e saj ishte diskutuar shumë, pasi që trajneri Driton Kuka ishte ankuar pse Komuna e Prishtinës nuk i ka kthyer përgjigje për ta vendosur atë në kryeqytet.
Kuka e theksoi edhe një herëse statuja fillimisht ishte e supozuar të vendosej në Prishtinë, por lokacioni u ndryshua pasi që Komuna e Prishtinës nuk kishte dhënë përgjigje.
“Kryetari i Prishtinës nuk e ka jep lokacionin për Majlindën. Ne kemi bërë kërkesë në mënyrë të rregullt dhe ai nuk na ka kthyer kurrfarë përgjigje, edhe pse statuja ishte e gatshme”, ka thënë Kuka në emisionin sportiv “Favorit” në T7.
“Tash, të them të drejtën, jam shumë i lumtur që statuja është në Pejë, duke marrë parasysh entuziazmin me të cilin qytetarët e kanë pritur këtë statuje. E në Prishtinë, le ta shohim, ndoshta do të vijnë ditë më të mira, ndoshta vjen ndokush që s’do t’i paraqesë problem statuja e Majlindës në Prishtinë dhe atëherë ndoshta do të ndodhë diçka e tillë”. /Gazeta Express/