Bayern Munichu nuk ka ndërmend të ndahet me Michael Olisen.
Drejtori sportiv i klubit bavarez, Max Eberl, ka qenë i qartë për të ardhmen e sulmuesit francez, duke theksuar se ai është pjesë e një projekti afatgjatë në “Allianz Arena”.
Olise e ka tërhequr vëmendjen e disa prej klubeve më të mëdha evropiane pas paraqitjeve të tij të shkëlqyera me Bayernin, me Real Madridin që është përmendur shpesh si një nga skuadrat e interesuara për shërbimet e tij.
Megjithatë, drejtuesit e kampionëve të Gjermanisë nuk duan të dëgjojnë për një largim të mundshëm.
Eberl ka qenë kategorik kur është pyetur për mundësinë që Olise të largohet, përcjell “Gazeta Express”.
“Jo. Është shumë e thjeshtë: jo. Kemi një projekt afatgjatë.”
Sipas drejtuesit të Bayernit, francezi është një nga shtyllat e së ardhmes së klubit dhe nuk konsiderohet një futbollist që mund të shitet në këtë moment.
Olise u transferua te Bayerni nga Crystal Palace dhe që prej ardhjes së tij është kthyer në një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës.
Paraqitjet e tij i kanë bindur plotësisht drejtuesit bavarezë, të cilët besojnë se ai mund të bëhet një nga futbollistët më të mirë në botë.
Edhe presidenti i Bayern, Herbert Hainer e ka mbajtur të njëjtin qëndrim, duke deklaruar se klubi nuk është një “klub shitës” dhe se Olise ka një kontratë afatgjatë me skuadrën.
Bayerni deri tash e ka transferuar dyshen Ismael Saibari e Nathaniel Brown, të cilët në total kushtuan 50 milionë euro.
Eberl ka konfirmuar se ekipi i Bayernit është kompletuar për sezonin e ardhshëm, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e largimit të tre futbollistëve: Sacha Boey, Joao Palhinha e Bryan Zaragoza, të cilëve u është thënë që të gjejnë klube të reja. /Gazeta Express