Lidhja Demokratike e Kosovës do të vendosë sot nëse do ta shkarkojë Lumir Abdixhikun nga pozita e kryetarit apo do ta konfirmojë atë në krye të partisë.
Delegatët e LDK-së do të mblidhen në orën 18:00 për të vendosur për drejtimin e partisë më të vjetër në vend.
Në ftesat që Abdixhiku ua ka dërguar 354 delegatëve me të drejtë vote, thuhet se Kuvendi do të mbahet në AMC Hall, një sallë ku organizohen ngjarje të ndryshme, e cila ndodhet në Obiliq, vetëm pak kilometra jashtë Prishtinës.

Sipas detyrimeve të përcaktuara me statutin e LDK-së, Lumir Abdixhikut të hënën pasdite iu desh të merrte vendim për thirrjen e këtij Kuvendit të jashtëzakonshëm, ku pritet të testohet besimi brendapartiak ndaj Abdixhikut.
Në njoftimin për thirrjen e Kuvendit pë të enjten, LDK-ja nuk e përmendi vendin ku do të mbahet. U tha se vendi i mbajtjes së Kuvendit dhe detajet e tjera organizative do t’u komunikoheshin delegatëve në përputhje me procedurat e përcaktuara nga statuti i partisë.
Kur më 15 korrik u dorëzuan nënshkrimet e rreth 150 delegatëve që kërkojnë largimin e tij nga drejtimi i partisë, Abdixhiku i pezulloi bisedimet me Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e institucioneve të reja. Ai alarmoi se ky proces mund ta dëmtojë partinë “pariparueshëm nga brenda dhe ta lë Kosovën pa institucione dhe potencialisht përballë zgjedhjeve të reja në vjeshtë”, ndërsa kundërshtarët e tij bashkëpartiakë kërkojnë përgjegjësi nga ai për rezultatin e dobët zgjedhor.
Kuvendi i LDK-së i ka 355 delegatë, përfshirë kryetarin.