Ka dalë nga shtypi libri i ri me ese i Dritan Dragushës, botuar nga ‘Bardbooks’, ‘A ka hëna derë?’ të cilin lexuesit do ta gjejnë në librari nga e hëna.
Fragment nga libri:
“Ajo dhomë për mua i ngjante Hënës, po asaj Hëne që kur isha fëmijë më rrëmbente me vete. Për mua ajo dhomë ishte kinemaja ime e parë dhe më mbresëlënëse. Në vetvete ajo ishte një vepër arti që në atë zymtësi të atyre viteve të pushtimit për mua ishte një botë ku unë arratisesha. Sa e sa herë aty kisha qarë dhe kisha qeshur larg syve të botës. Pra, ajo dhomë për mua ishte dera për në Hënë.”
Për librin:
Edhe pse me vokacion filozof, Dritan Dragusha na fton në kinema. Na fton në botën e imazherisë dhe simulakrave që në traditën filozofike platoniste ishin pa dinjitet ontologjik dhe larg të vërtetës. Për më shumë, salla e kinemasë për filozofët e kësaj tradite ngjall dyshimet për filmin, pikërisht, se ajo ka një
ngjashmëri të frikshme me shpellën e Platonit. Ky libër është dëshmi e një tradite tjetër në filozofi, asaj antiplatonike ose postplatonike, që na hap një dimension të ri të të kuptuarit të imazhit dhe fuqisë së tij në film. Larg të jetë botë e hijeve, ajo na shpërfaq shumëngjyrshmërinë e botës magjike, ku jeta pulson në gjallërinë e saj.
Astrit Salihu
Një film i mirëfilltë artistik nuk është vetëm Art. Është frymë e kohës. Është mendim i thellë i mbështjellë në pamje lëvizëse. Është madje, botëkuptim. Këtë na e vërteton Dritan Dragusha në librin e tij ‘A ka hëna derë?’
Blerim SHALA
Bio e shkurtër e autorit:
Dritan Dragusha (1980) ka kryer studimet bachelor dhe master për filozofi në Universitetin e Prishtinës. Ka qenë një nga drejtuesit e emisionit Filozofema në RTK, kolumnist në platformën online sbunker redaktor në revistën Symbol, kurse aktualisht është autor dhe moderator i emisionit Prizma në televizionin T7. Është autor i tre librave:
Zoti në kinema, Bard Books, Prishtinë, 2020;
Metafizika e artit, Bard Books, Prishtinë, 2021;
A ka hëna derë?, Bard Books, Prishtinë, 2024.
/Express