“Do ta thyej rekordin e Federerit dhe do të luaj deri në moshën 40 vjeçare” - Gazeta Express

Sporte tjera

Gazeta Express

15/05/2020 21:50

“Do ta thyej rekordin e Federerit dhe do të luaj deri në moshën 40 vjeçare”

Sporte tjera

Gazeta Express

15/05/2020 21:50

Novak Djokovic beson se mund të luajë deri në moshën 40-vjeçare dhe tenisti që kryeson renditjen ATP mendon se do të jetë në gjendje për të thyer rekordin e veteranit zviceran Roger Federer si numri 1 në klasifikimin e përgjithshëm botëror. Pas një jave, Nole do të festojë 33-vjetorin, sidoqoftë tenisti nga Serbia është i bindur se do të kalojë tenistin e famshëm helvet, duke përmirësuar rekordin tjetër që mbahet nga 38-vjeçari nga Bazeli me 20 trofe të fituar në turnetë Slam.

Në fakt Roger ka qëndruar për shumë kohë i shkëputur nga të tjerët, duke përmirësuar ndjeshëm të gjitha rekordet që kishte fiksuar tenisti amerikan Pete Sampras, gjithsesi vitet kalojnë edhe për të dhe tani është koha e dyshes Nadal – Djokovic, madje falë 5 titujve të fituar në 7 turnetë e fundit të Grand Slam-it tenisti ballkanas po i ngjit shkallët me shpejtësi dhe po I afrohet kërcënueshëm kreut.

Kështu Roger Federer mban aktualisht rekordin e qëndrimit në fronin e këtij sporti me 310 javë, 237 prej të cilave madje kanë qenë rresht, por Novak, në krahun tjetër, po afrohet me shpejtësi me 282 javë kryesim, megjithëse, për hir të së vërtetës, vetëm 122 prej këtyre javëve janë regjistruar radhazi.

Në një intervistë me gazetarin e mirënjohur amerikan, Graham Bensinger, numri 1 I botës deklaroi se objektivi i tij kur të tërhiqet është që të mbetet si tenisti me më shumë javë në kryesim në renditjen botërore, gjë tashmë plotësisht e arritshme, duke marrë në konsideratë faktin që Nole është vetëm 28 javë larg veteranit zviceran. Pothuajse 33-vjeçar, Djokovici është ngjitur në kuotën 17 të trofeve Slam, vetëm 2 tituj më pak se sa “mbreti” i fushave me dhe, Rafael Nadal, dhe 3 larg “mbretit” të këtij sporti Federer.

Pa shumë modesti, tenisti ballkanas tha se nuk ka asnjë dyshim se falë aftësive dhe dhuntive të tij është në gjendje për t’i mposhtur rivalët e tjerë të triumviratit, që ka dominuar më së shumti në dy dekadat e fundit, dhe, në fakt, 52 nga 60 turnetë e fundit të mëdhenj të këtij sporti janë fituar pikërisht nga tenistët e treshes së famshme.

Nole foli për armën e tij më të rëndësishme, që është besimi në vetvete, dhe forca e madhe që ka në aspektin psikologjik, e për të vërtetuar fjalët e tij mjafton të kujtohet rasti i edicionit të fundit në “All England Club”, ku Djokovici mposhti Federerin në finalen e Wimbledonit, duke i anuluar dy mundësi për turneun, për më tepër kur në shërbim ishte vetë tenisti i madh helvet, madje në një finale ku Roger kishte statistika shumë më të mira sesa ato të tenistit nga Serbia, si për pikët, gameve apo qoftë edhe për goditjet fituese. Numri 1 i botës rrëfeu se trofetë Slam dhe javët e qëndrimit në krye të klasifikimit të përgjithshëm botëror përbëjnë objektivat e tij kryesorë për të ardhmen.

Tenisti ballkanas ka një bilanc perfekt në vitin 2020, duke fituar 18 nga 18 ndeshjet në dispozicion. Një ecuri e tillë e pathyeshme i dha për rrjedhojë numrit 1 të botës edhe tre trofe gjatë këtij sezoni, në ATP Cup me përfaqësuesen e Serbisë, Australian Open si dhe turneun 500 në Dubai. Pra, në momentin kur u ndërpre sezoni për shkak të pandemisë së Koronavirusit, Nole ishte në një formë të shkëlqyer.

Roger do të mbushë 39 në fillimin e muajit gusht, kështu që në mënyrë të kuptueshme është ndoshta në vitin e tij të fundit në këtë sport, sidoqoftë vetë Djokovic rrëfeu se nuk beson në limite, madje ai shtoi se, sipas tij, limitet janë thjesht iluzione të egos në mendjen e gjithsecilit. Deklaratë disi kontradiktore, duke patur parasysh fjalët e shoqes së tij të jetës, Jelena Ristic, që dy vjet më parë rrëfeu se, pas disfatës me francezin Benoit Paire në Mastersin e Miamit, bashkëshorti i saj i kishte kërkuar për të varur raketën në gozhdë, duke hequr dorë përfundimisht nga ky sport.

Në vitin 2018 pas asaj humbjeje Jelena pati deklaruar se, pasi i mblodhi bashkë, ai i shtangu të gjithë pjesëtarët e stafit, duke thënë se do të hiqte dorë, gjë që mund të konfirmohet edhe nga vetë biseda me menaxherin e tij, Edoardo Artaldi, të cilit i tha se do të tërhiqej për një periudhë të pacaktuar 6 muaj, 1 vit apo qoftë edhe përfundimisht.

Historia më pas dihet, tenisti serb vijoi karrierën dhe u rikthye duke triumfuar në Wimbledon. Intervista do të publikohet këtë fundjavë në rrejtet lokale dhe ato kombëtare në Shtetet e Bashkuara, një intervistë ku numri 1 i botës foli gjerë e gjatë për jetën e tij, dëmtimet, problemet, martesën, si dhe vuajtjet e shumta me të cilat u përball gjatë periudhës së bombardimeve në vendin e tij në vitin 1999. /SS/