Ndërsa Beogradi zyrtar në bisedimet me Brukselin dhe Uashingtonin përpiqet të mbajë ambalazhin se është ende në rrugën evropiane, pamja nga ambasada ruse flet diçka krejtësisht tjetër.
Ardhja masive e zyrtarëve më të lartë shtetërorë dhe krerëve fetarë në pritjen me rastin e “Ditës së Rusisë” dërgon një porosi më se të qartë dhe shqetësuese për Perëndimin se ku qëndrojnë në të vërtetë prioritetet e jashtme politike të regjimit aktual.
Ky event në ambasadën ruse ekspozoi sërish lidhjet e profunda dhe sistematike midis elitës politike serbe dhe Kremlinit.
Në një moment kur bota demokratike po përballet me krizën më të madhe të sigurisë në historinë moderne, sjellja e zyrtarëve serbë tregoi një afërsi të jashtëzakonshme me Moskën.
Me këtë, Serbia edhe një herë i ktheu shpinën me vetëdije politikës së jashtme dhe të sigurisë së përbashkët të Bashkimit Evropian.
Ambasadori rus, Aleksandar Bocan-Harçenko, e shfrytëzoi këtë rast për të përsëritur mesazhet e njohura mirë, duke thënë se „himni rus dhe ai serb tingëllojnë si një simfoni e vetme“.
Edhe pse pranoi se situata nga këndvështrimi i Moskës nuk është ideale dhe se „nuk e shohin botën përmes syzeve rozë“, ai theksoi se Rusia po punon me shpejtësi në mbrojtjen e interesave të saj me „vendet mike“, ku Serbinë padyshim e sheh në krye të listës.
Prania e të gjithë kreut shtetëror në një ngjarje të organizuar nga një diplomaci nën sanksione perëndimore flet vetë për të ashtuquajturin „neutralitet ushtarak dhe politik“, dhe se Beogradi pranon me vetëdije të jetë dritarja kryesore për ndikimin rus në zemër të Evropës.
The Geopost
