Uruguai po përgatitet t’ia besojë drejtimin e kombëtares një prej figurave më të mëdha në historinë e vet, pas një fushate zhgënjyese në Kupën e Botës 2026.
Ish-sulmuesi i Manchester Unitedit, Diego Forlan, është pranë marrëveshjes për ta marrë drejtimin e “La Celeste”, pas largimit të Marcelo Bielsas.
Një epokë e re për Uruguain
Trajneri argjentinas është larguar nga posti pasi nuk arriti t’i përmbushte pritshmëritë, duke e lënë Federatën e Futbollit të Uruguait në kërkim të një figure që mund ta rikthejë kombëtaren në rrugën e duhur.

Presidenti i federatës, Ignacio Alonso, duket se e ka identifikuar tashmë njeriun e duhur.
Forlan, i cili e udhëhoqi Uruguain drejt gjysmëfinales së Kupës së Botës 2010 dhe triumfit në Copa America 2011, është zgjedhja kryesore për ta drejtuar këtë periudhë tranzicioni.
Një takim mes Forlanit dhe Këshillit Ekzekutiv të federatës është planifikuar për finalizimin e një marrëveshjeje me rol të dyfishtë.
Plani është që Forlan ta drejtojë kombëtaren U20 në Kupën e Botës që do të zhvillohet në Azerbajxhan dhe Uzbekistan, ndërsa paralelisht të shërbejë si trajner i përkohshëm i ekipit të parë deri në mars të vitit 2027.
Alonso shpjegon planin për Forlanin
Presidenti i federatës, Ignacio Alonso, konfirmoi bisedimet dhe u shpreh i entuziazmuar për mundësinë që përvoja e madhe e Forlanit të rikthehet në shërbim të futbollit uruguaian.
“E kemi mundësinë ta përfshijmë, në këtë rast, te kombëtarja U20”, deklaroi Alonso.
“Ta kemi Diegon brenda strukturës së kombëtares, me gjithë përvojën që ka, pasi ka luajtur për disa nga klubet më të mëdha në botë, është diçka shumë e vlefshme.”
“Ai ka punuar me metodologji të ndryshme, ka krijuar edhe idetë e veta, ka qenë lojtar i kombëtares dhe ka përvojë si trajner në elitë. Mendoj se është një mundësi e madhe. Edhe ai është shumë i emocionuar.”
Fillimisht i përkohshëm, por me mundësi për postin afatgjatë
Edhe pse marrëveshja fillestare do të fokusohet te kombëtarja U20 dhe një periudhë e përkohshme me ekipin e parë, federata ka lënë të hapur mundësinë që Forlan ta marrë përfundimisht drejtimin e Uruguait.
Ky model shihet si një mënyrë për të vlerësuar nëse ish-sulmuesi është gati për presionin e madh të drejtimit të kombëtares në plan afatgjatë.

Presidenti Alonso e bëri të qartë se ky rol i dyfishtë do të shërbejë edhe si një lloj prove.
“Po emërojmë një trajner të U20 që do të drejtojë edhe ndeshjet e kombëtares së parë. Më pas, vetë situata do të tregojë se si do të vazhdojnë vlerësimet”, tha ai.
Edhe emra të tjerë mbeten në diskutim, përfshirë Marcelo Brolin, i cili e udhëhoqi kombëtaren U20 drejt titullit botëror në vitin 2023, por për momentin Forlan shihet si favoriti kryesor.
Shembulli i Scalonit frymëzon Uruguain
Në Montevideo, shumë njerëz po e krahasojnë emërimin e mundshëm të Forlanit me ngritjen e Lionel Scalonit te Argjentina.
Edhe Scaloni fillimisht u emërua si zgjidhje e përkohshme pas paraqitjes zhgënjyese të Argjentinës në Kupën e Botës 2018.
Ai nisi duke punuar me ekipet e të rinjve dhe në turne si “L’Alcudia”, përpara se ta fitonte besimin e lojtarëve dhe federatës.
Më pas, Scaloni e udhëhoqi Argjentinën drejt një Kupe Bote dhe dy titujve të Copa Americas.
Forlan do të shpresojë të ndjekë një rrugë të ngjashme.
Ish-sulmuesi i Atletico Madridit ka përvojë si trajner te klubet uruguaiane Penarol dhe Atenas, ndërsa tani mund të marrë sfidën më të madhe të karrierës së tij në pankinë. /GazetaExpress/