I penduari i drejtësisë, Erion Alibej ka dëshmuar sërish ditën e sotme në Gjykatën e Posaçme, për disa nga ngjarjet e bujshme kriminale të ndodhura në Elbasan gjatë viteve të fundit. Alibej ka thënë se për vrasjen e vëllezërve Haxhia i kishte dhënë Nuredin Dumanit dy kallashnikovë dhe një pistoletë, sëbashku me makinën që do të përdorej në atentat.
Ai tha gjithashtu se në plan për t’u vrarë ishin Besmir Haxhia dhe Altin Ndoci, dhe jo Viktor Haxhia. Sipas Alibejt, Viktor Haxhia u ngatërrua me Altin Ndocin. Ai tha më tej se pas vrasjes së dy vëllezërve u planifikua vrasja e Altin Ndocit në varrimin e tyre, gjë që sipas tij nuk ndodhi pasi ai nuk shkoi në varrim.
Pjesë nga dëshmia e Erion Alibejt:
Për Dorjan Shkozen kam paguar 100 mijë euro. Nga Hoxha janë blerë disa armë, çmimet varionin nga 500, 1000 deri në 3500 euro. Nuk e di fiks, se kontaktet me “Hoxhën” i kishte Sander Baho. Me Nuredin Dumanin jam takuar pas vrasjes së vëllezërve Haxhia, por me Nuredinin isha në kontakt të vazhdueshëm. Henrik Hoxhën nuk e njihja personalisht, vetëm kam dëgjuar që kishte pseudonimet “Kusho” dhe “Nipi”, që i drejtoheshin Klevis Allës.
Me Nuredinin flisja për Talo Çelën, nëse pas vrasjes së Dorjan Shkozës do të bëhej i gjallë apo jo. Gjithashtu, vijova të hetoja për Altin Ndocin. Ky shkonte shpesh në Durrës, tek vëllezërit Haxhia. Klevis Alla kishte parë një ditë Talon te shtëpia e vëllezërve Haxhia, por Nuredini e mori me rezerva. Nuredini ishte i angazhuar me qenë i përgatitur me “çunat e Fushë-Krujës”, por emrat e tyre nuk i dija.
Në SKY ECC më shkruan Plarent Dervishi, kam pasur kontakt me të. Ai kishte kodet “Barcelona” dhe “Gost”. Plarenti më tha: “M’u bë qejfi që e ke gjet Talo Çelën”. Unë u habita si e dinte ky, por pastaj u kujtova që Plarenti kishte shumë muhabet me Festim Qolin.
Kishim një makinë Toyota të vjedhur që e kisha blerë në Shijak. Ia dhashë Nuredinit bashkë me armët që ai donte. Ia dorëzova te pazari i Rrogozhinës. Ishte me Klevis Allën kur e mori. Më pas, Nuredini kërkoi edhe 50 mijë euro. Ia çova me një mikun tim dhe në total i çova 150 mijë euro për të vijuar. Këtë e bëra që edhe Nuredini të shikonte që unë kisha lekë dhe të kishte besim.
Për vrasjen e vëllezërve Haxhia, i kam dhënë Nuredinit 2 kallash dhe 1 pistoletë, mesa kujtoj. Çfarë më kërkonte, ia jepja. Armet ia dhashë bashkë me makinën. Plani ishte për të vrarë Altin Ndocin dhe Besmir Haxhinë, jo Viktorin. Doli shpejt në televizor lajmi, e mora vesh edhe nga lajmet që u gjet e braktisur Toyota.
I thashë Nuredinit: “Pse ka shenja gjaku në makinë?” Më tha: “Kemi gjuajtur me xhamat mbyllur dhe nga copat është lënduar në këmbë ‘Kusho’.” Më pas u shoqërua “Nipi” në polici dhe Nuredini më tha: “Më duket se ky po flet.” Dhe sa mora vesh, e kishte marrë vesh nga komshinjtë, nga “Miri Pojës”, që Nuredini e kishte mik.
Viktor Haxhia ka qenë rastësisht aty. Në makinë ka qenë edhe Altin Ndoci, por ai ka zbritur gjatë rrugës, sepse ai ishte objektivi. Ata nuk e kanë ditur që ishte Viktori në makinë, kanë menduar se ishte Altin Ndoci. Diskutoja me Nuredinin për varrimin e vëllezërve Haxhia, pasi mund të ekzekutonin Altin Ndocin edhe ditën e varrimit. Unë isha pro, por nuk u arrit, pasi ai nuk shkoi në varrim.
Kam pasur edhe një mik në Kukës, Bujar Gërmizin. I thashë Nuredinit: “Ke nevojë për disa veshje si të OFL-së?” Më tha po, dhe nga Bujari mora disa veshje si të OFL-së, të Policisë, dhe ia kam dhënë Nuredinit – jelek dhe këpucë ushtarake (kambale) me mbishkrimin OFL. Veshjet janë bërë në Kosovë, unë i mora në Kukës.
Pas vrasjes së vëllezërve Haxhia, mora vesh që Talo kishte qëndruar te shtëpia e Haxhiajve, kur mësova në televizion që Klevis Alla po nxirrte emra. Nuredini, në këtë kohë, u shkëput dhe bashkë me familjen e tij rrinte në Spille, te vjehrra. Ai nuk e dinte nëse po flitej për të, pasi i shkoi dhe policia në banesë, por ai kishte ikur. Flisja gjithë kohës me të në SKY ECC.