Fejesa e Princit Leka Zogu II me fotografen Blerta Celibashi ka kaluar kufijtë e Shqipërisë, duke tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare.
Revista prestigjioze franceze “Point de Vue”, e njohur për mbulimin e familjeve mbretërore evropiane, i ka kushtuar një artikull të plotë ceremonisë madhështore që u zhvillua më 11 tetor në Ksamil, mes rërës së bardhë, ujërave të kaltër dhe diellit mesdhetar.
Në artikullin e titulluar “Leka II i Shqipërisë: dashuria që i duron të gjitha”, revista e përshkruan këtë fejesë si “një kombinim perfekt i elegancës mbretërore dhe thjeshtësisë mesdhetare”.
Një ceremoni intime dhe plot ndjesi
Në prani të rreth 70 të ftuarve — miq të ngushtë, të afërm dhe bashkëpunëtorë — Princi dhe Blerta formalizuan fejesën e tyre në një mbrëmje të organizuar me shumë kujdes në një resort luksoz buzë detit.
Vajza e vogël e Princit, Geraldina, e cila më 22 tetor mbush pesë vjeç, ishte pjesë e veçantë e ceremonisë, duke simbolizuar bashkimin e një familjeje të re.

Atmosfera ishte e ngrohtë dhe elegante: të ftuarve iu servirën pjata tradicionale si japrakët, ndërsa Princi ngriti dollinë e parë në anglisht, falënderuar miqtë dhe bashkëpunëtorët e afërt. Blerta, në vijim, mbajti një fjalë të shkurtër dhe emocionuese në shqip, përpara se çifti të vallëzonte për herë të parë si të fejuar.
Në unazën e tyre të artë lexohej mbishkrimi “Dashuria i duron të gjitha” — një citim simbolik nga Bibla, që, sipas revistës franceze, reflekton karakterin e lidhjes së tyre: të qetë, të qëndrueshëm dhe me vlera shpirtërore.
“Një fejesë që pasqyron sinqeritetin dhe thjeshtësinë tonë”
Në intervistën ekskluzive për Point de Vue, Princi Leka ndau emocionet e tij për këtë hap të ri në jetë:
“Fejesa jonë duhej të pasqyronte sinqeritetin dhe thjeshtësinë tonë. Nuk ishte vetëm një moment personal, por edhe një mënyrë për të falënderuar ata që na kanë mbështetur dhe, më gjerë, për t’u ndarë me popullin shqiptar.”
Ai shtoi se vendimi për ta zyrtarizuar lidhjen erdhi natyrshëm, pasi marrëdhënia e tyre është ndërtuar mbi besim, respekt dhe miqësi të thellë.

“E kuptuam se ishim gati kur rrugët tona personale dhe profesionale u bashkuan në të njëjtin drejtim,” – tha Princi 43-vjeçar.
Blerta — fotografe, artiste dhe zë i brezit të ri shqiptar
Për të fejuarën e tij, Princi Leka shprehet me admirim:
“Blerta është e fortë, e kulturuar dhe plot empati. Ajo është vegjetariane, dashuruese e natyrës dhe e fotografisë, përmes së cilës rrëfen histori me ndjeshmëri. Ajo mishëron modernitetin shqiptar në formën më të natyrshme.”
Nga ana tjetër, Blerta Celibashi përshkruan princin si një burrë me karakter dhe përkushtim të rrallë:
“Tek Leka më preku integriteti, durimi dhe ndjenja e përgjegjësisë që ka ndaj vendit të tij. Ai më frymëzon me përulësinë dhe seriozitetin me të cilin e përjeton misionin e tij si figurë publike.”
Një e ardhme në shërbim të vendit
Në fund të intervistës, Princi Leka foli edhe për vizionin e tij për të ardhmen:
“Synimi ynë është të ndërtojmë një jetë me kuptim, në shërbim të të tjerëve. Shqipëria po ndryshon dhe ne duam të ndihmojmë në këtë proces, duke mbështetur rrugëtimin europian të vendit dhe përpjekjet për ruajtjen e vlerave historike dhe kulturore.”
Revista franceze e përmbyll artikullin me një fjali domethënëse:
“Në Ksamil, nën dritën e perëndimit të diellit, një princ shqiptar dhe një artiste e re nënshkruan një premtim që përtej titujve dhe traditës, flet për dashurinë e thjeshtë dhe të vërtetë që i duron të gjitha.” /GazetaExpress/
Pse të presësh, kur mundesh me hy direkt me Fast Lane? Si Sponsor Gjeneral i Sunny Hill Festival, Banka...