Diogo Daloti ka zbuluar se Cristiano Ronaldo një herë i kishte thënë se një sulmues i Manchester Unitedit nuk do të arrinte të ketë sukses në “Old Trafford”.
Ronaldo u rikthye te Manchester Unitedi në gusht të vitit 2021, në një transferim që bëri bujë të madhe në futbollin botëror pasi kalimi i tij nga Juventusi u zyrtarizua.
Klubi kishte shpenzuar tashmë 73 milionë paund për Jadon Sanchon dhe 41 milionë për Raphael Varanen atë verë, me shpresën për të nisur një epokë të re suksesi.
Ronaldo shënoi 24 gola në të gjitha garat në sezonin e tij të parë pas rikthimit, por Unitedi përfundoi i gjashti dhe trajneri Ole Gunnar Solskjaer u shkarkua në nëntor 2021.
Megjithatë, shumë prej lojtarëve të afruar atë periudhë nuk arritën pritshmëritë, dhe Daloti tregoi një histori interesante nga ajo kohë në “The Players’ Tribune”.
“Gjatë atij sezoni me Cristianon, unë fillova të rritesha shumë si lojtar dhe si person. Kam humbur numërimin e parashikimeve që ai i ka bërë saktë, sepse ai e di shumë mirë çfarë duhet për të arritur majat,” tha Daloti.
“Nëse dikush e kalonte një seri në palestër, ai e vinte re menjëherë”, shtoi ai.
“Ne kishim një sulmues këtu që bëri mirë në sezonin e parë, por Cristiano tha: ‘Ai nuk do të ia dalë këtu’. Unë i thashë: ‘Cris, ai sapo shënoi dy gola sot!’ Ai tha: ‘Po, por nuk kishte zjarrin për të shkuar për të tretin.’”, tha Daloti.
Dalot nuk e përmendi emrin e sulmuesit, por në atë sezon në skuadër ishin Marcus Rashfordi, Anthony Martiali, Mason Greenwoodi dhe Edinson Cavani.
I vetmi lojtar tjetër përveç Ronaldos që kishte shënuar “dopietë” atë sezon ishte Bruno Fernandesi, i cili më pas u bë një nga figurat kryesore të klubit.
Pas një interviste të bujshme dhe përplasjeve me Erik ten Hagun, Ronaldo u largua nga Unitedi pas 18 muajsh dhe aktualisht po përgatitet për Botërorin e tij të gjashtë me Portugalinë.
Dalot gjithashtu mbrojti pjesëmarrjen e tij në përfaqësuese, duke thënë se është “e çmendur” që dikush të dyshojë në të.
“A po vrapon si 22 vjeç? Jo. A po shënon çdo ndeshje? Po. A na bën më të mirë? Po. Ai është 41 vjeç”, shtoi ai.
Portugalia do ta nisë fushatën e saj në Botëror më 17 qershor kundër RD Kongos./GazetaExpress/