Covidi në Afrikë: Ploja nuk ka ndodhur kurrë - Gazeta Express
string(43) "covidi-ne-afrike-ploja-nuk-ka-ndodhur-kurre"

Covidi në Afrikë: Ploja nuk ka ndodhur kurrë

OP/ED

Gazeta Express

26/01/2022 14:51

Për zakon, për përtaci mendore, jemi stërvitur të mendojmë se gjithçka që ndodh në botë varet nga ne. E quajmë vetën kërthizë të gjithësisë e motor të historisë, edhe se prej kohësh nuk jemi më. Në këtë rast “mea culpa” e ndërgjegjeve perëndimore u shkreh pa mbajtur parasysh faktet dhe jemi fshikulluar për një tragjedi të pandodhur kurrë

Shkruan: Ferderico Rampini

Lexo Edhe:

Ndërmjet aq arsyeve të pasigurive pandemia dhuron një befasi pohenike. Ploja nga Covidi në Afrikën nënsahariane, e lajmëruar rregullisht prej pothuajse dy vitesh, nuk ka filluar kurrë e ndoshta nuk do të ndodhë kurrë. Nga Covidi vdiset më shumë n’Itali se sa në vendet më të varfra të planetit, megjithëse mundësia e hyrjes në vaksinat është e ulët në mënyrë shkandullore. Shpjegimi shkencor është I kthjellët: mosha mesatare shumë e re I mbron , pothuajse sa vaksina.

Është një lajm i mirë që nuk duhet të fshihet. Dhe nuk vlejnë dredhitë për t’a zvogëluar. E vërtetojnë statistikat e mbledhura nga banka e të dhënave Our World in Data. N’Itali – që fatkeqësisht vendoset në rrjeshtimin e lartë të mesatares botërore – pandemia ka shkaktuar 229 të vdekur për çdo njëqind mijë banorë, n’Ugandë shtatë vdekje në njëqind mijë njerëz, në Nigeri dy. Rrjeshtimi i Vëndeve afrikane ruan të njëjtin zbulim të këndshëm, vdekësia ndryshon nga 15 vdekje në njëqind mijë banorë në Gambia e në Gabon deri në dy në Burkina Faso. Ndërmjet këtyre listave fshihen shumë prej kombeve më të varfër të planetit. Kundrejt tyre na është bërë zakon të kemi një kujdes sa mëshirues aq ideologjik, të sipërfaqshëm dhe stereotipik.

Afrika, e kemi vendosur me kohë, duhet jetë një lajm vetëm për tragjeditë e saj. Na tërheq vëmëndjen si qëndra e mjerimit dhe vuajtjes njerëzore, si kontinent i shkatërruar nga kundërshti t’armatosura e luftëra civile, kufiri i ri i xhihadizmit, tokë për pushtim nga rish-kolonializmi perëndimor e më së fundi kinez, pellg të mërguarish të dëshpëruar, me shtesat e valëve t ‘ardhshme mërgimtare të lidhura me katastrofat klimaterike.
Në këtë skenar të errët e dëshpërues, kur filloi pandemia kemi “vendosur”që, natyrisht, do të kishte shkaktuar dëme shumë më të mëdha në kontinentin e zi.

U shkreh refleksi pavllovian i ne perëndimorëve, automatizmi njerëzor në kahun e fajit. Me që vaksinat – së paku ato që funksionojnë – janë prodhuar në Perëndim e kryesisht n’Amerikë, ploja e re afrikane do të kishte qënë e sata njollë në ndërgjegjet tona. Një plojë e shkaktuar nga egoizmi i të pasurvet. Përse nuk shkoi ashtu?

Pabarazia e hyrjes në vaksinat ekziston; është e pamohueshme dhe e pafalëshme. Të dhënat e përpunuara nga Banka botërore dhe Universiteti i Oxfordit, të përmbledhura në një analizë të së përjavëshmes The Economist, thonë se në Vendet me t’ardhura mesatare apo lartmesatare, pra mbi 4000 dollarë PPI për frymë, janë përdorur 160 vaksina për çdo njëqind banorë, pra më shumë se një dozë e gjysëm për kokë. Kjo mesatare përfshin natyrisht fëmijë të vegjël jo subjekt vaksinimi, të tjerë njerëz të pavaksinueshëm, dhe hapësirën jo vax. Në Vëndet më të varfëra të planetit, ata nën njëmijë dollarë për kokë, vaksinat e injektuara janë vetëm dymbëdhjetë çdo njëqind njerëz. Pra pak më shumë se një e dhjeta. Kjo vërteton mungesën e suksesit të Covax, nisma e marrë nga OKB dhe Organizata botërore e shëndetësisë (OBSH), për të shpërndarë kudo imunizimin. Në të vërtetë dështimi nuk është vetëm pasojë e egoizmit të të pasuevet. Një pengesë serioze ka të bëjë me shpërndarjen dhe ruajtjen. Vaksinat më të efektëshme të prodhuara në SHBA kërkojnë një ruajtje në temperatura tepër të ulta, që përbën një problem në zonat nënsahariane ku korrenti elektrik nuk është i bollshëm. Për çdo dollar të çmimit të vaksinës, duhen shpenzuar pesë të tjerë për trasportin dhe ruajtjen deri në destinacionin përfundimtar. Duhet të bëhen llogaritë edhe me një hapësirë jo vax që është madje m’e shtrirë në Vendet e varfëra. N’Afrikën perëndimore vetëm 39 % e popullsisë është e gatëshme të marrë vaksinën: ndërhyjnë paragjykime të lashta dhe mosbesime kundrejt mjekësisë perëndimore, ose kundrejt qeverive vendore që i këshillojnë.

Por hyrja e paktë në vaksinat nuk ka qënë kaq vdekjeprurëse siç frikësohej. Përballë të dhënave mbi vdekësinë e ulët, shumë perëndimorë shtrembërojnë hundën: me që e vërteta nuk përputhet me paragjykimet tona, atëherë statistikat duhet të jenë të pavërteta. Është e mundëshme që Vëndet më të prapambetura të jenë më pak t’aftë për të numëruar vdekjet nga Covidi. Ka një sistem më të provuar për të shmangur këtë mungesë, është matja e “shtesës së të vdekurve” në të cilën bazohet The Economist. Ndryshimi ndërmjet mesatares së vdekjeve vjetore në vitet 2020 – 2021 dhe periudhës para Covid na jep tregues të besueshëm e të sigurtë. Kjo matje e paqortueshme vërteton se ploja afrikane nuk ka ndodhur kurrë, madje pandemia ka qënë më dashamirëse në Jugun e Saharasë. Shpjegimi qëndron në moshën mesatare t’atyre popullsive: është 20 vjet kundrejt 43 të Bashkimit evropian. Gjallësia e bollshme demografike, që shpesh e kemi trajtuar si një plagë afrikane, në këtë rast zbulon një përmbysje pohenike.
Disa shkencëtarë shtojnë një shpjegim plotësues: Vëndet që janë më t’ekspozuara kundrejt malarjes mund të kenë zhvilluar edhe forma të pjesëshme imuniteti kundër Covidit. Kjo e fundit mbetet një hamëndje për t’u provuar; ndërsa mbrojtja e dhënë nga mosha e re është një siguri. Edhe sepse nga Covidi vdesin shpesh njerëz me të tjera patologji si mbipesha dhe sëmundja e sheqerit, më të zhvilluara në moshë të madhe. Rinia ka shërbyer si shqyt, duke kompensuar të tjera mungesa afrikane.

Në këtë kuadër edhe egoizmi shëndetësor i Vëndeve më të pasura është më i arsyeshëm nga si duket: vaksinat i kanë shkuar me përparësi zonave të brishta, që këtë herë janë ato më të pasurat e planetit. Bollëku dhe prekshmëria shkojnë me të njëjtin hap kundrejt Covidit. Edhe se mbetet përjashtimi i mrekullueshëm i një Japonie ende më të vjetër se ne e megjithatë e aftë për të mbajtur një vdekësi “afrikane” (është një lëvdatë).

Kjo nuk duhet të na përjashtojë nga përpjekje të reja për një shpërndarje më të përhapur planetare të vaksinavet. Ndonjë gjykim i mëtejshëm duhet të ushtrohet mbi ato burokraci ndërkombëtare si OBSH së cilës i kemi besuar misionin. Por befasia pohenike e Afrikës përmbledh një mësim edhe për ne. Automatizmat njerëzore që kanë qënë paragjykimet tona janë, në thelb, mbeturinat e fundit rishkoloniale. Për zakon, për përtaci mendore, jemi stërvitur të mendojmë se gjithshka që ndodh në botë varet nga ne. E quajmë vetën kërthizë të gjithësisë e motor të historisë, edhe se prej kohësh nuk jemi më. Në këtë rast “mea culpa” e ndërgjegjeve perëndimore u shkreh pa mbajtur parasysh faktet dhe jemi fshikulluar për një tragjedi të pandodhur kurrë.

“Corriere della Sera”

Përktheu Eugjen Merlika /Mapo.al