Ali G pritet të rikthehet në ekranin e madh, 24 vjet pasi personazhi i famshëm nga Staines u shfaq për herë të fundit në kinema me filmin “Ali G Indahouse”.
Sipas raportimeve të “The InSneider”, filmi i ri tashmë ka përfunduar xhirimet. Disa nga lokacionet e xhirimit përfshijnë Oxfordshire, ku Sacha Baron Cohen u pa verën e kaluar i veshur si Ali G, si dhe disa vende në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Titulli dhe data e publikimit ende nuk janë konfirmuar, ndërsa përfaqësuesit e aktorit kanë refuzuar të komentojnë.
Rikthimi i personazhit u përfol për herë të parë në vitin 2023, por projekti raportohet se u vonua për shkak të grevave të skenaristëve dhe aktorëve në SHBA.
Ali G, personazhi naiv me veshje sportive karakteristike dhe pjesë e të ashtuquajturit “west Staines massiv”, u shfaq për herë të parë në emisionin “The 11 O’Clock Show” në Channel 4 në vitin 1998, si “zëri i rinisë”. Më pas, televizioni britanik i dha atij emisionin e vet në fillim të viteve 2000.
Edhe pse Sacha Baron Cohen kishte deklaruar në vitin 2007 se Ali G dhe Borat, prezantuesi kazak që u bë protagonist i filmit shumë të suksesshëm të vitit 2006, ishin “pensionuar”, të dy personazhet janë rikthyer më vonë.
“Borat Subsequent Moviefilm” u publikua në vitin 2020, ndërsa Ali G është shfaqur në disa raste të veçanta, përfshirë “British Comedy Awards” në vitin 2012, emisionin “Ali G: Rezurection” dhe ceremoninë e Oscars në vitin 2016.
Filmi i ri për Ali G besohet se është xhiruar në fshehtësi, njësoj si shumë pjesë të “Borat” dhe filmit “Brüno” të vitit 2009, ku Baron Cohen luante një guru austriak të modës.
Sipas raportimeve, projekti i ri pritet të përfshijë intervista me persona publikë dhe komentatorë që nuk janë të vetëdijshëm për natyrën e vërtetë të situatës. Në të kaluarën, Ali G ka intervistuar figura si Newt Gingrich, i cili mbeti i hutuar nga pyetjet e tij, dhe Tony Benn, i cili reagoi me zemërim.
Përveç personazheve satirikë, Sacha Baron Cohen ka ndërtuar një karrierë të gjerë në film dhe televizion. Ai është nominuar për Oscar për rolin në “The Trial of the Chicago 7” dhe ka luajtur në filma si “Sweeney Todd: The Demon Barber of Fleet Street”, “The Dictator”, “Hugo”, “Les Misérables” dhe filmat e animuar “Madagascar”.
Filmi i tij më i fundit, komedia e Netflix “Ladies First”, nuk u prit mirë nga kritikët. Në televizion, ai ka qenë pjesë e serialeve dramatike “The Spy” dhe “Disclaimer”, si dhe i emisionit satirik të vitit 2019, “Who Is America?”, i cili shkaktoi shumë reagime. /GazetaExpress/