Beteja e poshtërsisë - Gazeta Express
string(20) "beteja-e-poshtersise"

OP/ED

Gazeta Express

24/06/2022 15:49

Beteja e poshtërsisë

OP/ED

Gazeta Express

24/06/2022 15:49

Tema e liberalizimit të vizave për kosovarët ka nxjerrë edhe njëherë në sipërfaqe gjithë kundërshtitë dhe poshtërsitë e politikës – kosovare dhe europiane – sa i përket këtij procesi. Vështirë të vendoset se kush meriton medalje për poshtërsi më të madhe.

Imer Mushkolaj

Lexo Edhe:

Bashkimi Europian zgjodhi edhe njëherë t’i ndëshkojë kosovarët, duke mos i lejuar të udhëtojnë lirshëm në zonën Schengen. Shefat e shteteve të BE’së sërish dhanë fjalë të mira për mundësinë e heqjes së vizave, por nuk premtuan asnjë veprim konkret. Kjo shkaktoi neveri në mesin e qytetarëve të Kosovës, të cilët janë të vetmit në Europë që duhet të presin para ambasadave për të marrë një vizë.

Debati i risjellur në publik për vizat risolli edhe kritika e kundërkritika të partive opozitare dhe partisë në pushtet. Më i zëshmi në baltosjen e pushtetarëve aktualë u tregua ish-kryeministri Isa Mustafa, të cilit duket se ende nuk i ka kaluar inati ndaj Vjosa Osmanit.

Osmanin, bashkë me Albin Kurtin dhe Shpejtim Bulliqin ai i quajti bllokues të liberalizimit në vitet 2015-2016, pasi që atëherë kundërshtonin demarkacionin me Malin e Zi. Por, Mustafa “harroi” se pikërisht këtë “bllokuese”, Vjosa Osmanin, në vitin 2019 ai dhe partia që udhëhiqej nga ai, LDK, e nominuan për kryeministre.

Tash sa vjet në Kosovë muhabeti për vizat është shndërruar në betejë për përfitime politike. Lëvizja Vetëvendosje akuzohet se i ka lënë kosovarët me viza, pasi që në kohën kur ato mund të hiqeshin, organizonte protesta të dhunshme dhe kundërshtonte demarkacionin. Ndërkaq, eksponentë të partisë në pushtet akuzojnë qeveritë e kaluara se vizat nuk janë liberalizuar për shkak të mospunës së tyre në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Poshtëri mbi poshtërsi.

E historiku i premtimeve politike për heqjen e vizave dëshmon se kjo çështje është keqpërdorur disa herë për përfitim poenësh politikë. Nuk kanë ndryshuar veç pritjet e qytetarëve para ambasadave dhe shpenzimet disa qindra euroshe për viza.

* * *

Në sagën e heqjes së vizave për kosovarët rol kyç ka luajtur, natyrisht, Bashkimi Europian. Të paktën para nja katër vjetësh zyrtarët e Brukselit konfirmuan se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim.

Përveç kritireve teknike, BE vendosi për Kosovën edhe kritere politike. Ndonëse jo zyrtarisht, një kusht i tillë ishte ratifikimi në Kuvend i marrëveshjes për demarkimin e kufirit me Malin e Zi. Kur marrëveshja kaloi, më 2018, zyrtarë të BE’së thanë se ishte koha për heqjen e vizave. Paraprakisht, nja dy vjet opozita e atëhershme me protesta të dhunshme kundërshtoi demarkacionin. LDK e PDK akuzojnë VV’në se, po të kalonte demarkacioni, vizat Kosovës do t’i hiqeshin atë kohë – bashkë me Gjeorgjinë. Por, katër vjet pas premtimit të Federica Mogherinit, vizat ende nuk janë hequr. Brukseli vazhdimisht arsyetohet se është përgjegjësi e shteteve anëtare veç e veç që t’i thonë “po” procesit. Problematike janë parë Holanda dhe Franca, edhe pse këtë javë u tha se qëndrimi i Holandës është zbutur.

Megjithatë, edhe pse Brukseli nuk e thotë zyrtarisht, duket se procesi i liberalizimit për Kosovën është i lidhur me dialogun Kosovë-Serbi. BE nuk ka çfarë t’i ofrojë Kosovës në këmbim të arritjes eventuale të marrëveshjes, andaj heqja e vizave mbetet “karrotë” e vetme.

Ndonëse u vlërsua se asnjëherë nuk kishte pasur qasje më pozitive sa i përket liberalizimit të vizave për kosovarët, sesa në samitin e BE’së kësaj jave, konkretisht nuk ka lëvizur asgjë, nuk është dhënë asnjë premtim dhe asnjë afat se kur një gjë e tillë mund të ndodhë.

Poshtërsia e BE’së karshi Kosovës vazhdon, ashtu si dhe diskriminimi kundër qytetarëve të Kosovës.

* * *

Është poshtërsi të përvetësosh procesin e liberalizimit të vizave për të përfituar poenë politikë. Kjo ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë në Kosovë. Po ashtu, është poshtërsi të premtosh heqjen e vizave, të konfirmosh disa herë se kriteret janë plotësuar dhe të mos mbash premtimet, siç ka vepruar Bashkimi Europian.

Procesi i heqjes së vizave për Kosovën po zgjat tash një dekadë, ndërkaq për vendet e rajonit ka zgjatur më së shumti tri vjet. Nuk ka asnjë shpjegim pse BE po vazhdon t’i mbajë kosovarët si në burg, kur ata e meritojnë lëvizjen e lirë.

Nëse korrupsioni dhe krimi i organizuar nuk po u luftuakan mjaftueshëm, atëherë në këtë aspekt më mirë nuk qëndrojnë as vendet e rajoinit, qytetarët e të cilëve lëvizin lirshëm tash sa vjet. Raporte organizatash kredibile ndërkombëtare e vlerësojnë Kosovën më mirë në raport me vendet fqinje, sa i përket perceptimit për nivelin e korrupsionit.

BE nuk ka asnjë arsye që të mos e jep dritën e gjelbër për lëvizjen e lirë të kosovarëve. Çdo zvarritje në këtë drejtim vetëm sa do ta shtojë skepticizmin e kosovarëve dhe do t’iu jep të drejtë atyre që besojnë se Europa po tregohet raciste karshi këtyre qytetarëve. Shumëkush meriton medalje për poshtërsi në gjithë këtë muhabet.