Deputeti i zgjedhur i AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se AAK do të marrë pjesë në seancën e sotme për konstituimin e Kuvendit, megjithatë thotë se LVV i ka 61 vota për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit dhe se s’ka pasur ndonjë bisedë me AAK-në për t’ia dhënë votat për kryetar, shkruan Gazeta Express.
“Jemi me vonesë të madhe. S’ka justifikim për këtë shtyrje. Kosova s’ka kohë me humbë me lojëra dhe pazare politike. AAK do të ndihmojë në konstituimin e institucioneve, por në anën tjetër kemi një qëndrim politik që s’ndërlidhet me atë që synojmë të kemi hise në Qeveri. Është jetike të konstituohen institucionet. Do të luajmë rol jetik, me 6 pikat që i kemi. Do të marrim pjesë në procesin e konstituimit të Kuvendit”, ka thënë Tahiri, shkruan Express.
“LVV e ka shumicën e vet. Ata i kanë 61 vota. Qëndrimi jonë është shumë i thjeshtë. Mos e bllokoni Kosovën. Sot në ditën e konstituimit, në ulësen e ministrave, ulen ata që janë deputet”, ka shtuar i tutje.
Sa i përket kërkesës së Kurtit për takim, Tahiri ka thënë se kreu i LVV’së duhet të japë përgjigje për 6 pikat e AAK-së.
“Do të ishte mirë që të përgjigjet në kërkesat tona që s’ndërlidhen me hisen në Qeveri. Një kryeministër i përgjegjshëm që sheh një platformë programore në të mirë të Kosovës, do të duhej të përgjigjej. Unë po e pyes Kurtin se cila pikë është e dëmshme për Kosovën”, ka thënë tutje Tahiri./Express/
