Berse: Maqedonia ka rol të rëndësishëm për stabilitetin dhe qëndrueshmërinë demokratike në rajon dhe Evropë - Gazeta Express
string(106) "berse-maqedonia-ka-rol-te-rendesishem-per-stabilitetin-dhe-qendrueshmerine-demokratike-ne-rajon-dhe-evrope"

Maqedoni

Gazeta Express

08/05/2026 15:42

Berse: Maqedonia ka rol të rëndësishëm për stabilitetin dhe qëndrueshmërinë demokratike në rajon dhe Evropë

Maqedoni

Gazeta Express

08/05/2026 15:42

Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Alain Berset, gjatë vizitës së tij zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, pas takimit të djeshëm me Ministrin e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin e deritanishëm me vendin dhe theksoi progresin e rëndësishëm që vendi ka arritur në dekadat e fundit, transmeton Portalb.mk.

Në fjalimin e tij, Sekretari i Përgjithshëm tregoi se ishte “vërtet i impresionuar” nga arritjet e Maqedonisë së Veriut, duke theksuar se Këshilli i Evropës ka qenë gjithmonë një partner dhe mbështetës i vendit në forcimin e demokracisë.

Ai theksoi rolin e rëndësishëm të Republikës së Maqedonisë së Veriut në ndërtimin e stabilitetit dhe qëndrueshmërisë demokratike në rajon dhe Evropë, veçanërisht përballë sfidave aktuale gjeopolitike dhe të sigurisë.

“Në rrethana të tilla gjeopolitike, besimi në institucionet demokratike është absolutisht thelbësor, jo vetëm për shtetet anëtare, por edhe për stabilitetin e Evropës në tërësi”, theksoi Berset, duke shtuar se siguria dhe stabiliteti janë të mundura vetëm përmes institucioneve të forta dhe funksionale.

Sekretari i Përgjithshëm gjithashtu përshëndeti bashkëpunimin me Maqedoninë e Veriut në disa fusha, duke përfshirë inteligjencën artificiale, mbështetjen për Ukrainën dhe promovimin e të drejtave të pakicave, dhe veçanërisht përshëndeti miratimin e shpejtë të Planit të Veprimit për Pakicat. Në të njëjtën kohë, Berset vlerësoi se kryesimi i ardhshëm i Maqedonisë së Veriut me Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës përfaqëson një konfirmim shtesë të rolit dhe rëndësisë së vendit brenda familjes evropiane.

Përndryshe, me praninë e Sekretarit Berset, Maqedonia e Veriut e nënshkroi sot Konventën e Këshillit të Evropës për Inteligjencën Artificiale. Konventa, e miratuar nga Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës në maj 2024, është instrumenti i parë ndërkombëtar detyrues që përcakton parime dhe standarde për përdorimin e sigurt, etik dhe të përgjegjshëm të inteligjencës artificiale.

Advertisement
Advertisement
Advertisement