Ndërsa lajmet për armëpushimin u përhapën në komunitetet veriore të Izraelit, sirenat ranë tri herë këtë mbrëmje duke paralajmëruar për raketa që vinin nga Libani.
Në qiellin mbi qytetin verior Nahariya, interceptorët e mbrojtjes ajrore të Izraelit u ngritën për t’i bllokuar, duke shkaktuar shpërthime të forta. Ekipet e ambulancës thanë se të paktën tre persona u plagosën nga copëzat e predhave në orët para se armëpushimi të hynte në fuqi, përfshirë dy në gjendje të rëndë.
Në terren dhe në të gjithë vendin – ka skepticizëm përse udhëheqësi i Izraelit ka pranuar këtë armëpushim.
Njoftimi për këtë armëpushim e ka zënë në befasi Izraelin – thuhet se edhe brenda vetë kabinetit të sigurisë së qeverisë, raporton BBC.
Mediat izraelite raportuan se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu thirri një mbledhje të kabinetit të sigurisë me vetëm pesë minuta paralajmërim, pak para se të bëhej njoftimi për armëpushimin.
Informacione të rrjedhura nga ajo mbledhje thonë se ministrave nuk iu dha mundësia të votonin për armëpushimin.
Automjetet mbushën rrugët në Liban pasi armëpushimi hyri në fuqi, ndërsa njerëzit u kthyen në shtëpitë e tyre.
“Një armëpushim duhet të vijë nga një pozitë force për t’i shërbyer interesave kombëtare të Izraelit,” tha ish-shefi i shtabit të IDF-së dhe kreu i partisë Yashar, Gadi Eisenkot.
Netanyahu, duke e paraqitur armëpushimin si “një mundësi për të arritur një marrëveshje historike paqeje me Libanin, gjithashtu e bëri të qartë se kishte bërë pak lëshime në terren.
Ai tha se Hezbollahu kishte këmbëngulur në dy kushte: tërheqjen e forcave izraelite nga Libani dhe parimin “qetësi për qetësi”.
“Nuk pranova asnjërën,” tha ai. “Këto dy kushte nuk po përmbushen. Ne po qëndrojmë në Liban në një zonë sigurie të zgjeruar […] Jemi aty dhe nuk po largohemi.”
Irani ka kërkuar ndalimin e operacioneve izraelite kundër grupit të tij aleat Hezbollah në Liban që kur ra dakord për një armëpushim dyjavor me SHBA-në më herët këtë muaj.
Dhe pasi fillimisht tha se fushata ushtarake e Izraelit kundër Hezbollahut në Liban ishte “një përplasje e veçantë”, Trump tha këtë javë se po përpiqej të krijonte atë që e quajti “pak hapësirë frymëmarrjeje mes Izraelit dhe Libanit”, ndërsa negociatat e SHBA-së me Iranin hasin vështirësi dhe afati i armëpushimit po afrohet javën e ardhshme.
Si Netanyahu ashtu edhe udhëheqësit ushtarakë izraelitë kanë theksuar ditët e fundit se armëpushimi që Trump ra dakord me Teheranin nuk nënkupton armëpushim në Liban.
Shell Kosova ka nisur një lojë shpërblyese që i kthen postimet në Instagram në mundësi reale për fitim. Me #ShellKosova...