Gazetari Baton Haxhiu ka publikuar një tjetër shkrim, pasi ishte intervistuar lidhur me një deklaratë të tij për Albin Kurti. Haxhiu ka treguar cilat pyetje ia bëri prokurori Arianit Salihu.
Shkruan Baton Haxhiu
Sinqerisht, dje hezitova t’i shkruaj publikisht këto pyetje. Jo sepse ishin sekrete hetimore. Por sepse më vinte turp që një prokuror i Republikës së Kosovës, si Arianit Salihu, kishte ndërtuar një procedurë mbi këtë nivel mendimi.
Më dukej e pabesueshme që në vitin 2026, pas gjithë krizave që ka ky vend, një institucion i drejtësisë kishte ardhur deri te kjo pikë e degradimit intelektual dhe procedural.
Shihni çfarë pyetjesh bën një prokuror, që në shkrimin e djeshëm nuk i vendosa sepse po ndjeja turp në vend të prokurorit.
Shihni çfarë pyetjesh më bëjnë hetuesit!
“A e njihni Albin Kurtin?”
“A e dini ku e ka shtëpinë?”
Për një moment mendova se mos po mungonte kamera e ndonjë emisioni satirik.
U përgjigja qetë.
“Po, e njoh prej 30 vitesh”.
“Dhe jo, nuk më intereson fare ku banon”.
Aty e kuptova se problemi nuk ishte më deklarata ime. Problemi ishte niveli i frikës dhe devotshmërisë me të cilën dikush kishte vendosur ta mbrojë pushtetin nga një metaforë politike.
Për disa sekonda mendova se mos kisha hyrë gabimisht në ndonjë skeç televiziv dhe jo në një institucion të hetimit. Pastaj kuptova se jo. Ishte serioze. Ose të paktën përpiqej të dukej serioze.
Dy hetues, korrektë dhe pothuajse në siklet nga pyetjet që po lexonin, po më intervistonin për një deklaratë politike të bërë në televizion. Dhe diku, në një zyrë të Prokurorisë Themelore, një prokuror (paramendojeni, është zv. Kryeprokuror në Gjykatën Themelore) kishte menduar se mbrojtja e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës fillon duke pyetur një gazetar nëse e njeh kryeministrin dhe ku banon ai.
Në atë moment më erdhi një lloj qetësie. E kuptova se Albin Kurti qenka më i mbrojtur sesa çdo lider në Ballkan. Jo nga Garda. Jo nga policia. Por nga metaforat.
Mesa duket, një fjali televizive tashmë konsiderohet kërcënim strategjik për stabilitetin kombëtar. Dhe aty fillon operacioni heroik i mbrojtjes së liderit: “A e njihni Albinin?” “A e dini ku banon?”
Një republikë, që sadopak kam kontribuar të jetë e lirë dhe të ketë lirinë e mendimit dhe të fjalës, Arianit Salihu e ka reduktuar në adresë të banimit të kryeministrit.
Dhe sinqerisht, nëse do ta lexoja këtë në ndonjë roman satirik për shtetet e vogla në Ballkan, do të më dukej ekzagjerim letrar. Por ja që nuk është ashtu! Është realitet procedural.
Madje, në një moment mendova edhe për vetë Albin Kurtin. Sa e trishtë duhet të jetë për një kryeministër të mbrohet nga kjo lloj devotshmërie institucionale. Të kesh institucione që, në vend se të mbrojnë ligjin, përpiqen të mbrojnë figurën tënde nga analizat politike dhe figurat letrare.
Sepse kjo nuk është mbrojtje. Kjo është mënyra më e keqe për t’i bërë dëm një pushteti edhe kur adhuron liderin, siç e bën Arianiti prokuror.
Ta rrethosh pushtetin me njerëz në prokurori që e marrin budallallëkun seriozisht dhe e quajnë profesionalizëm, është fundi i botës.
Dhe para se të hapet ndonjë lëndë e re, po e sqaroj edhe këtë për Prokurorinë Themelore të Prishtinës: fraza “është fundi i botës” është figurë letrare. Nuk nënkupton shkatërrimin e planetit, nuk është kërcënim ndaj rendit kushtetues dhe nuk kërkon pyetjen hetimore “a e dini ku banon bota”.
Përdoret zakonisht për momente si këto, kur imagjinata procedurale e një institucioni arrin aty ku logjika ka kohë që ka dhënë dorëheqje.
Prandaj, në vend që të hetohen korrupsioni, kontratat, krimi ekonomik, kapja e institucioneve apo degradimi i administratës, ne kemi arritur në një nivel tjetër të sofistikimit juridik. Prokuroria merret me interpretimin e figurave letrare dhe me gjeografinë e kryeministrit. Ku banon ai?!
Dhe pastaj habitemi pse qytetari nuk ka besim. Sepse, natyrshëm, qytetari mendon se prokurori merret me ligjin. Ndërsa prokurori, në raste të tilla, duket sikur merret me prodhimin e besnikërisë ndaj pushtetit përmes absurdit procedural.
Kjo nuk është më drejtësi. Kjo është burokraci e ankthit politik.
Dhe më tragjikja është se askush aty nuk dukej i keq. Përkundrazi. Hetuesit më lanë përshtypjen e njerëzve që edhe vetë e ndjenin absurdin e situatës. Tragjedia nuk ishte tek pyetja, por tragjike ishte që pyetja kishte kaluar hallkat institucionale dhe kishte marrë vulë zyrtare. Thirrje si dëshmitar?!
Pra, dikush e kishte shkruar. Dikush tjetër e kishte aprovuar. Dikush kishte menduar se kjo kishte kuptim.
Dhe aty fillon problemi i vërtetë i një shteti. Jo kur gabon një njeri. Por kur absurdi fillon të marrë formë procedure.
Kur dola nga hetuesia për krime të rënda, për një moment mendova të kthehesha prapa dhe t’u thoja se nuk duhet të shqetësohen më për adresën e Albin Kurtit.
Sepse me këtë nivel interpretimi të metaforave, rreziku më i madh për kryeministrin nuk vjen nga ata që flasin në studio televizive, por vjen nga ata që i lexojnë figurat letrare si plane operative.
Dhe sinqerisht, pas kësaj eksperience, ndjeva një lehtësim të madh. E kuptova se në këtë vend ende nuk kemi hyrë në diktaturë.
Kemi hyrë në diçka shumë më ballkanike. Në administrimin institucional të budallallëkut. /AlbanianPost