Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq njoftoi për një takim me ambasadorin e Rusisë në Beograd, Aleksandar Bocan-Harcenko.
Vuçiq tha se folën për “marrëdhëniet bilaterale, me theks të veçantë në bashkëpunimin në fushën e energjetikës, ndërsa shkëmbyem mendime edhe për tema aktuale rajonale dhe ndërkombëtare”.
“Në kushtet e rrethanave të ndërlikuara gjeopolitike dhe sfidave në tregun europian dhe global, për Serbinë ka rëndësi kyçe furnizimi i sigurt dhe i qëndrueshëm me energjentë, para së gjithash me gaz. Theksova se do të vazhdojmë të ndjekim një politikë energjetike të përgjegjshme në interes të qytetarëve dhe ekonomisë”, tha presidenti serb në një postim në Facebook.
Ambasadorit rus, Vuçiq tha se ia dorëzoi një letë për presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, në të cilën, siç tha, ia uroi “Ditën e Fitores”, të cilën e quajti “një nga datat më të ndritshme në historinë e njerëzimit”. Në letër tha se shkroi mesazhin se “9 maji mbetet simbol i përjetshëm i mosnënshtrimit dhe heroizmit të popujve tanë”.
“Theksova se është detyrimi ynë të ruajmë kujtimin për të gjitha viktimat që humbën jetën në anën e së drejtës dhe drejtësisë, si dhe se Serbia nuk do të lejojë përpjekjet për rishikimin e historisë. Theksova gjithashtu se do ta kujtojmë përgjithmonë rolin e madh dhe vendimtar të Ushtrisë së Kuqe në çlirimin e vendit tonë dhe të Europës”, tha ai.