Ditën e djeshme në ambientet e Librari Babel në kryeqytet te Piramida nga ora 18 :00 u zhvillua promovimi i librit më të ri të Bashkim Shehut.
Libri titullohet « Merimanga dhe pasvdekja » dhe është i gjendshëm në të gjithë libraritë e kryeqytetit tashmë prej dhjetë ditësh.
Bashkim Shehu firmosi autografe për të pranishmit e shumtë në katin e sipërm të Librarisë Babel dhe mbajti një prezantim në dialog me botuesen Arlinda Dudaj.
Të pranishëm ishin figura nga bota e librit si botuesi Henri Çili, Leka Bungo, Rudolf Marku, Vera Bekteshi, Elvis Hoxha, Ylljet Aliçka dhe shkrimtarë të rinj si Dionis Prifti, Renis Hyka, Liridon Mulaj e të tjerë.
Eventi ishte një mbrëmje e këndshme me shaka dhe diskutime ku spikati ai i Rudolf Markut që e quajti Bashkim Shehun të rrallë në përdorim e gjuhës ndër shkrimtarë shqiptarë.
Arlinda Dudaj e quajti librin e ri « të mrekullueshëm » ndërsa Elvis Hoxha tha se stili i Bashkimit në të shkruar ngjan me montazhin dhe mozaikun.
Poeti Rudolf Marku vuri në dukje dallimin mes filozofisë dhe letërsisë por duke kuptuar peshën e autorit Bashkim Shehu tha se ka mbërritur në një amalgamë të të dyjave.
Libri bazohet në një film të Bertoluccit që është tregim i Borgesit dhe mund të gjendet në librari apo online. /TemA