Legjenda e Liverpoolit, John Barnes, beson se rikthimi i Darwin Nunezit në “Anfield” nuk do të kishte kuptim, përveç nëse trajneri i ri, Andoni Iraola, vendos të ndërtojë skuadrën rreth stilit të lojës që i përshtatet sulmuesit uruguaian.
Nunez u transferua te Liverpooli nga Benfica në vitin 2022 për 64 milionë paund, duke shënuar 40 gola në 143 ndeshje. Megjithatë, ai nuk arriti kurrë të bindte plotësisht tifozët dhe, pas largimit drejt Al-Hilal në verën e vitit 2025, karriera e tij në Arabinë Saudite nuk shkoi sipas pritshmërive.
Për shkak të kufizimeve për numrin e futbollistëve të huaj në kampionat, Al-Hilal është i gatshëm ta lejojë 26-vjeçarin të largohet si lojtar i lirë, ndërsa kanë nisur spekulimet për një rikthim të mundshëm në Angli.
Barnes, megjithatë, nuk e sheh këtë si zgjidhjen ideale.
“Nëse Iraola dëshiron të luajë me stilin që i përshtatet Nunezit, atëherë mund të ketë kuptim. Por nëse ai nuk dëshiron futboll kaotik, atëherë Darwin nuk duhet të rikthehet”, deklaroi Barnes për GOAL.
Ai shtoi se Liverpooli nuk duhet të jetojë më me trashëgiminë e Jurgen Kloppit.
“Nuk mund të vazhdojmë të krahasojmë çdo trajner me Kloppin. Çdo trajner duhet të ketë lirinë të ndërtojë skuadrën sipas ideve të tij dhe klubi duhet ta mbështesë.”
Barnes: Transferimet nuk janë zgjidhja
Liverpooli ka humbur këtë verë Mohamed Salahun, Ibrahima Konaten dhe Andy Robertsonin, të cilët u larguan si lojtarë të lirë, por Barnes nuk mendon se zgjidhja është të transferohen shumë futbollistë.
“Kur erdhi Arne Slot, u afruan Federico Chiesa dhe Wataru Endo, por skuadra fitoi titullin pa u mbështetur te ta. Më parë u shpenzuan 400 milionë paund për katër lojtarë dhe kjo nuk i zgjidhi problemet.”

Sipas tij, Liverpooli tashmë ka një skuadër cilësore.
“Nëse trajneri dëshiron një mbrojtës qendre apo ndonjë përforcim specifik, është në rregull. Por unë besoj se lojtarët që ka Liverpooli janë mjaftueshëm të mirë. Duhet t’u besojmë atyre dhe trajnerit.”
Mbetet për t’u parë nëse Liverpooli do të bëjë afrime të rëndësishme gjatë kësaj vere dhe nëse emri i Darwin Nunezit do të rikthehet ndonjëherë në listën e objektivave të klubit anglez. /GazetaExpress/