Barazia dhe elitat - Gazeta Express

OP/ED

Gazeta Express

14/07/2021 12:21

Barazia dhe elitat

OP/ED

Gazeta Express

14/07/2021 12:21

Elitat mund të jenë të arsimuara në mënyrë të shkëlqyer dhe e konsiderojnë veten si të sofistikuar, tolerante dhe liberale. Por në realitet ato janë shkëputur në mënyrë dëshpëruese nga shoqëritë që drejtojnë… Meritokracia, një ide revolucionare që ia vlen të përmirësohet, por jo të braktiset

Nga Mark Damazer

Lexo Edhe:

Meritokracia, ideja se vendi i dikujt në shoqëri duhet të bazohet tek aftësitë dhe përpjekjet e tij individuale, gjendet nën një sulm të fortë. Dështimet e saj i kanë hapur dyert Brexit, Trump, Bolsonaro, Orban dhe mutantëve të tjerë populistë.

Kritika në thelb është kjo:përfituesit e meritokracisë, gëzojnë jo vetëm frytet e një arsimi me cilësi të lartë dhe paga shumë të mira, por ata janë arrogantë, të sigurt për virtytin dhe epërsinë e tyre. Ata besojnë se janë fitues jo sepse janë me fat që kanë pasur gjenet “e duhura” apo se patën një mbështetje të madhe nga prindërit, por sepse e meritojnë të jenë fitues. Elitat mund të jenë të arsimuara në mënyrë të shkëlqyer dhe e konsiderojnë veten si të sofistikuar, tolerante dhe liberale. Por në realitet ato janë shkëputur në mënyrë dëshpëruese nga shoqëritë që drejtojnë.

Dhe këtu vjen kundërsulmi. Adrian Uldrixh e sheh meritokracinë si një ide revolucionare që ia vlen të përmirësohet, por jo të braktiset. Ai shqyrton 2500 vite të historisë njerëzore, duke vëzhguar shumë shoqëri dhe kultura, për të na kujtuar se relativisht deri kohët e fundit të talentuarit ishin thuajse gjithmonë një çështje pa interes për sundimtarët.

Në një artikull të kohëve të fundit në revistën “The Economist”, Uldrixh analizoi edhe epërsinë politike bashkëkohore të idesë, duke argumentuar se nëse Laburistët britanikë duan që t’i fitojnë zgjedhjet duhet të pretendojnë meritokracinë në mënyrë që të rrëzojnë perceptimin se kjo parti është kapur nga “barazueshmëria e ripërtërirë”.

Sigurisht, Uldrixh e kupton se përse meritokracia është bërë kaq shumë jopopullore. Ai është i fundit në një varg të gjatë analistësh që ka folur për rëndësinë që kanë pasur dështimet e Luftës në Irak dhe krizës financiare të vitit 2008.

Në të dyja rastet, nuk ishin vetëm politikanët ata që dështuan apo qëu treguan të pabesueshëm, por ekspertët e njohur të shërbimeve sekrete dhe ata të bankave. Meritokracia kishte filluar të sulmohej edhe gjatë ngjitjes në pushtet të Donald Trump, ndodhjes së Brexit dhe protestave të Jelekevë të Verdhë në Francë.

Në librin e tij rreth edukimit në vitin 1762 “Emil”, Zhan Zhak Ruso argumentoi se nëse njerëzit e duhur do të ngjiteshin në majë (do të bëheshin ekspertë), masat popullore me siguri do ta njihnin epërsinë e tyre dhe do t’u drejtoheshin atyre për udhëheqje.

Në fakt, Ruso po shkruante gjatë regjimit të vjetër monarkik, kur më të talentuarit nuk ishin askund në majë, por e tija është një pikëpamje mbi meritokracinë, në të cilën të gjithë do të njihnin hierarkinë shoqërore që do të prodhonte sundimi i të talentuarve, dhe të gjithë do të përfitonin nga kjo gjë.

Ruso është vetëm një nga filozofët e shumtë – përfshirë Platonin, Aristotelin, Konfucin, Erazmin, Volterin, Millin – shkrimet e të cilëve mbi këtë temë përmblidhet shkurtimisht dhe nganjëherë analizohet në librin e Uldrixh. Përkrah filozofëve aty ka politikanë, teologë, shkencëtarë, akademikë, autorë dhe aktivistë të panumërt.

Për pjesën më të madhe të historisë njerëzore, një numër i vogël burrash (ata ishin gjithmonë të tillë), të cilët kishin rastësisht kombinimin e duhur të kualifikimeve të tjera – toka, tituj, lidhje familjare – grumbulluan të gjithë fuqinë, paratë dhe statusin.

Sigurisht që kishte edhe përjashtime:burra, talenti dhe fati i të cilëve tërhoqi vëmendjen e një mbrojtësi, u solli atyre një pozitë të mirë dhe shumë të ardhura. Uldrixh na jep shembuj – mes tyre Papa Gregori VII, djali i një punëtori të zakonshëm; Tomas Uosli, djali i gruaje që tregtonte lesh; dhe Tomas Kromuell, djali i një farkëtari.

Edhe shumë kohë pasi iluminizmi dhe revolucionet amerikane dhe franceze e kishin rrëzuar feudalizmin, dhe i kishin dhënë një rëndësi të re konceptit të vetë-përmbushjes individuale, shumica e njerëzve të talentuar nuk mund të merrnin atë që meritonin:për shkak të gjinisë, prindërve, fesë apo racës së gabuar.

U desh të kalonte më shumë kohë që zgjuarsia e matur përmes testeve, të shndërrohej në bazën kryesore për ndarjen e pozicioneve. Uldrixh flet me të drejtë mbi reformat Northcote-Trevelyan në shërbimin civil britanik në mesin e Britanisë Viktoriane, si një moment kur shteti i dha meritokracisë rëndësinë që duhej.

Si çdokush që shkruan seriozisht mbi meritokracinë, atij i duhet të respektojë kritikën themelore të Majkëll Jang, qëe popullarizoi termin në librin e tij dystopik të vitit 1958 “Ngritja e meritokracisë”. Të rinjtë kishin frikë se meritokratët do të bëheshin një klasë më vete, se gjykimet e aftësive do të kryheshin mbi një bazë shumë të ngushtë, se për shumë humbës do të supozohej se ishin faji i tyre për dështimin.

Dhe duke e vendosur në qendër barazinë e mundësive, meritokracia do të ndryshonte barazinë e rezultatit që ai kërkoi. Po ashtu aty përmendet puna e dy filozofëve dhe kritikëve të mëdhenj amerikanë të meritokracisë: “Tirania e meritës” e shkruar shumë bukur nga Majkëll Sandel, botuar vitin e kaluar,e vë theksin tek braktisja e virtyteve të bashkësisë nga meritokracia, dhe sulmin e menjëhershëm nga Xhon Roulls në librin e tij “Një teori e drejtësisë” (1971).

Roulls mendonte se njerëzit me koefiçient të lartë inteligjence nuk e meritonin suksesin e tyre. Sipas tij talenti është një çështje moralisht arbitrare, dhe jo një pasqyrim i mirësisë. Edhe puna e madhe nuk ju bën më ta meritoni suksesin, pasi prirja për punë është e trashëguar.

Ky është një këndvështrim i ashpër, dhe si Jang, edhe idea e Roullsit mbi drejtësinë lidhet me kufizimin e pabarazive, përmes mos sigurimit të mundësive të barabarta. Uldrixh është një figurë më pak radikale. Ai thekson nevojën e shpërblimit të të talentuarve, sidomos për shkak të vetëmohimit të tyre dhe marrjes në sy të rrezikut.

Pa stimuj ndaj arritjes së përsosmërisë, do të kishte më pak njerëz të talentuar dhe kjo do të na varfëronte të gjithëve. Por cila është receta e Uldrixh për reformën në fushën e meritokracisë? Ajo nuk është e lehtë për tu identifikuar.

Ai mbron atë që shihet tani si një pikëpamje konservatore e shkollave selektive,“shkallët lëvizëse të elitës”, por më pas kritikon shkolla si Eton, Uinçester, Marlborou, për abuzime me statusin të tyre filantropik, duke braktisur fëmijë më të varfër dhe “duke i mbushur vendet e lëna bosh me fëmijët e elitës ndërkombëtare”.Ai rekomandon heqjen dorë nga referendumet, heqjen e pushtetit nga duart e partive politike, taksimin e platformave dixhitale. / “New Statesman”; bota.al