«Banon matanë lumit» - Gazeta Express
string(18) "banon-matane-lumit"

«Banon matanë lumit»

OP/ED

Gazeta Express

16/11/2022 14:26

Duhej të dëgjonim sugjerimet ndërkombëtare për shtyrje të afatit për përdorimin e targave të Kosovës. Nuk humbisnim asgjë. Nuk vetëcenonim të drejtën tonë për targa nëse, në ujdi me vendet e tjera që na e duan të mirën – dhe nuk na shohin si ata «matanë lumit» – shtyhej afati edhe për një kohë. Për më tepër, do të bënim që pala refuzuese të mbështetej për muri pas përfundimit të atij afati

Arben Idrizi

Lexo Edhe:

Te ‘Ligjet dhe institucionet shoqërore’ të Mendimeve të Paskalit gjejmë edhe këtë fjali të vetme – si një mbishkrim i shkretë misterioz –: «Banon matanë lumit». E marrë në vete dhe për vete, nuk thotë asgjë. Në të njëjtën kohë mund të ketë qindra interpretime, arbitrare a bukur të qëndrueshme. Megjithatë, fjalia është si një urë – meqë po flasim edhe për lumin – mes paragrafëve, përkatësisht mendimeve, ku Paskali trajton, pra, këtë gatishmëri të marrë të përjetshme të njeriut – ta themi shkurt – për ta luftuar deri në vdekje të ngjashmin e vet «matanë lumit».

Pse?

Sepse «banon matanë lumit».

Kush është në anën tjetër, të lumit, nuk është ne; është kundër nesh. Nëse s’arrijmë ta bëjmë atë të të jetë kundër nesh, do të mjaftojë ta bindim veten se ne jemi kundër atij. Forca që e kemi është e drejta, e vetme – në vend se e drejta të jetë forcë.

***

Nuk e di, në ditët e sotme, nëse mund të gjejmë personazhe më të mishëruara me këtë gjendje njerëzore të marrëzisë së përjetshme se sa Kurti e Vuçiqi.

Për ta, tjetri «matanë lumit» është armiku dhe kundër tij vlen (është në posedim) vetëm forca. Forca është e drejta.

Me forcë duhet t’i mohohet Kosovës – «matanë lumit» – e drejta e të qenit shtet i pavarur.

Me forcë duhet t’u imponohet serbëve të Kosovës – «matanë lumit» – të bartin targa të Kosovës.

Sa më shumë që acarohet situata, aq më e shijshme bëhet.

Sa më shumë që vuan ai që nuk dëshiron ta pësojë pse lideri i tij është në armiqësi të marrë me të ngjashmin e vet matanë lumit, aq më nxitëse dhe këmbëngulëse bëhet.

Atëherë forca është e drejta e vetme.

Vetëm këtë dinë, vetëm këtë munden.

***

E drejta nuk është, po na u lejua të flasim me terma më relaksues, kënaqësi e çastit. Edhe për këtë arsye jo gjithmonë është e lehtë të realizohet. Kërkon mençuri dhe mund. Së pari mençuri. Dhe së fundmi, përsëri dhe gjithmonë mençuri. Për këtë është kënaqësi e zorshme dhe jetëgjatë.

Rrjedhimisht, ne duhej të dëgjonim sugjerimet ndërkombëtare për shtyrje të afatit për përdorimin e targave të Kosovës. Nuk humbisnim asgjë. Nuk vetëcenonim të drejtën tonë për targa nëse, në ujdi me vendet e tjera që na e duan të mirën – dhe nuk na shohin si ata «matanë lumit» – shtyhej afati edhe për një kohë. Për më tepër, do të bënim që pala refuzuese të mbështetej për muri pas përfundimit të atij afati.

Ndërsa tash, kështu si rrodhën gjërat, më shumë është e mbështetur Kosova për muri, se sa Serbia.

Natyrisht, ata që e vuajnë këtë gjendje marrëzie janë banorët serbë të Kosovës, të cilët liderët i kanë vendosur në statusin e «matanë lumit». Ashtu siç në të vërtetë e vuajmë edhe ne këndej, pra e gjithë shoqëria kosovare.