Balkan Bordelo, me tekst të Jeton Nezirajt dhe regji të Blerta Neziraj, është shfaqja e radhës që do të luhet në teatrin prestigjioz La MaMa, në Nju Jork. Shfaqja është rezultat i bashkëpunimit mes Qendrës Multimedia, vetë teatrit La MaMa, Fondacionit My Balkans dhe Teatrit Atelje 212.
Kjo nuk është hera e parë që Qendra Multimedia performon shfaqje në Nju Jork, pasi që 4 vjet më parë u dha shfaqja 55 Shades of Gay pikërisht në teatrin La MaMa.
Shfaqja do ta këtë premierën më 31 mars të këtij viti dhe do të vazhdojë të luhet për 10 ditë rresht deri me 10 prill.
“Balkan Bordello” (Saga e një familjeje ballkanase), është e bazuar në triologjinë “Orestia” të Eskilit. Si një avatar i botës moderne, Agamemnoni kthehet triumfues nga fushëbeteja, pasi ka bërë shkrumb e hi qytetin armik. Por ethet e entizuazmi i fitoreve të palavdishme janë kafshë të
gjakut, me gjak ushqehen e nga gjaku jetojnë. Kur kthehet në shtëpi, Agamemnonin e pushtetshëm e pret vdekja. E vret e shoqja, Klitemnestra, gruaja e shtypur që duke vrarë burrin dëshiron të gjejë lirinë. Bashkë me Egjistin, një poet hipokrit, Klitemnestra dëshiron të nisë një jetë të re, pa frikë se do të dhunohet e poshtërohet nga burri. Por liria nuk mund të zë jetë në territoret ku dhuna ka qenë prezente për kaq kohë të gjatë. Tani, kur Agamemnoni nuk është më, rolin e tij prej dhunuesi e merr Klitemnestra – ajo bëhet Agamemnoni i munguar – dhe ajo që duhet të vuaj nga dhuna, shtypja e mosdurimi i sajë, është Elektra, e bija. Por çarku i dhunës nuk mund të mbyllet lehtë, se “çdo gjak i derdhur, ndjellë një gjak të ri’, siç këndohet në dramë.
Prandaj, siç vrau të shoqin, Klitemnestra duhet të vritet, tash, nga i biri, Oresti, i cili nga Berlini ku po jetonte si refugjat, kthehet me të dashurin e tij koreograf, Piladin.
Ja, ky është shtrati i kësaj drame, që me humor të zi, prekë indin e temparamentit ballkanas, gjurmon morbideitetin e shpirtit njerëzor dhe nxjerrë në pah budallakun dhe naivitetin e një epoke që po ndërtohet mbi themele të dhunës, mosdurimit e urrejtjes. Personazhet e dramës i nënshtrohen fatit dhe gati pavetëdijshëm bien në grackën e palumturisë dhe të shkatërrimit.
Delli për shkatërrim i joshë, siq e joshë vdekja jetën. “Balkan Bordello” është dramë për shoqëritë e traumatizuara që hanë vetveten. Ajo na ballafaqon me luftën si maqineri të shkatërrimit e ku jeta e normaliteti kapitullojnë para pabesive e ligësive të qenies njerëzore.
Demokracia nuk mund të merret si e mirëqenë. Beteja për të duhet të jetë e vazhdueshme. Çdo luhatje nga ky synim u lëshon vend fantazmave të luftës, abuzuve të forcës dhe autokratëve që fatin e shoqërive që i sundojnë e shohin si të ishte lojë e ruletit rus. Shembujt i kishim dje – i kemi edhe sot! Ballkani i gjakut I viteve të 90-ta dhe Ballkani i etjes për hakmarrje tash.
Hungaria e tanishme e autokratit Orbán, ku liria qytetare vidhet pëllëmbë pas pëllëmbe.
Amerika post-Trump, me amerikanë të mashtruar që vazhdojnë të shohin ëndërra me mure.
Turqia e Rusia me njerëz që jetojnë nën frikën e diktaturës shtetërore. Gjermania, që vazhdon të ndiqet nga fantazmat e gjalla të nacizmit. Ushtarë izraelit që rrafshojnë qytete Palestineze.
Palestinezë të Hamasit që gjuajn me raketa qytetet izraelite. Një Siri e bërë rrafsh me tokë nga… oh, për atë Zot, nga kush, a dihet bile?
/Info shtesë për biletat: lamama.org/shows/balkan-bordello-2022.
/Gazeta Express