Eksperti për siguri dhe shëndet në punë, Naim Bajraktari, në emisionin “Tempus” të Betimit për Drejtësi, ka thënë se brenda dy javëve janë bërë 350 vizita nga inspektorët nëpër vendpunime, dhe rreth 50% e tyre janë ndërprerë.
“Brenda dy javëve janë bërë 350 vizita nëpër industritë e ndërtimit dhe afër 50% e tyre janë ndërprerë punimet (si pasojë e punës jashtë kritereve)”, ka thënë eksperti Bajraktari.
Sipas tij, sensibilizimi më i madh është bërë te vetë inspektorët dhe jo te subjektet tjera si punëdhënësit apo punëmarrësit.
“Ky inspektim që u bë, senzibilizimi më i madh që u bë, doli te vetë inspektorët. Ata vetë u sensibilizuan. Tash çdo e dyta vendpunishte mbyllet. Pse nuk u mbyllën më parë?”, tha Bajraktari në “Tempus”.
“Gjatë dy javëve të fundit nuk pamë asnjë zhvillim, asnjë deklaratë të asnjë inspektori”, shtoi Bajraktari.
Ndërsa nga Sindikata e Arsimit, Ymer Ymeri tha se qeveria nuk ka pasur qëllim t’i trajtojë çështjet e punës.
“Qeveria nuk ka pasur qëllim t’i shikojë çështjet e punës, ne flasim vetëm për raste të vdekjes që janë dhe patjetër që duhet me u publiku se vdesin, ndërsa raste të tjera të lëndimeve që janë, që ndoshta mbesin edhe me pasoja të mëdha, me invaliditet në punë, dhe ka raste të mëdha të cilat punëdhënësit ndikojnë në forma të ndryshme dhe ato nuk paraqiten fare, ose kemi edhe raste të energjetikës kur ata gjatë kohës që punojnë me energji, tension të lartë janë pa mbrojtje, pa kurgjë, edhe ato nuk raportohen fare te Inspektorati i Punës”, tha Ymeri.
Këto deklarata u dhanë në emisionin “Tempus”, i cili për 1 Maj, Ditën Ndërkombëtare të Punës, trajtoi temën “Kur puna vret dhe shteti dështon të mbrojë punëtorët dhe të drejtat e tyre”.