Atlético Madrid është shfaqur si një kandidat surprizë për transferimin e ikonës së Manchester City, Bernardo Silva. Drejtori sportiv Mateu Alemany po punon për ta transferuar mesfushorin portugez si lojtar të lirë.
Silva, 31 vjeç, ka njoftuar largimin nga Manchester City këtë verë, duke i dhënë fund një periudhe nëntëvjeçare në “Etihad”.
Prej kohësh, portugezi është lidhur me një kalim te Barcelona dhe vetë lojtari kishte dëshirë të transferohej në Kataloni, ku agjenti i tij Jorge Mendes ka lidhje të forta. Megjithatë, Barcelona ka refuzuar mundësinë për ta transferuar, duke bërë që Juventus të konsiderohej favorit për nënshkrimin e tij.
Sipas raportimeve të Marca, Bernardo Silva tani po e prioritizon një kalim te Atletico Madridi. Përveç Juventusit, interesim kanë shfaqur edhe AC Milan dhe Barcelona, por oferta e Atletico-s është aktualisht më tërheqësja për lojtarin.
Për këtë arsye, te klubi madrilen ekziston “optimizëm i moderuar” se marrëveshja mund të finalizohet me sukses. Raportohet se Alemany po negocion me Jorge Mendes për një kontratë dyvjeçare me opsion vazhdimi edhe për një vit tjetër, në varësi të objektivave.
Kur u raportua fillimisht interesimi i Atletico-s për Bernardon, ai u pa si zëvendësues i mundshëm i Antoine Griezmann, i cili pritet të largohet këtë verë. Megjithatë, Silva është më shumë mesfushor sesa sulmues, ndonëse mund të luajë edhe në rolin e numrit 10.
Këtë sezon, Bernardo Silva ka regjistruar tre gola dhe pesë asistime në 52 paraqitje me Manchester Cityn.