Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka reaguar pas disa shqetësimeve të ngritura nga gazetarë të cilët kanë deklaruar se janë përballur me fyerje, kërcënime verbale apo tentativa pengimi gjatë ushtrimit të detyrës së tyre në terren në protestat që po mbahen në Tiranë.
AGSH thotë se po ndjek me vëmendje protestat qytetare që po zhvillohen në Tiranë dhe rithekson se e drejta për të protestuar është një nga shtyllat themelore të një shoqërie demokratike.
“Qytetarët kanë të drejtë të shprehin pakënaqësitë e tyre, të kundërshtojnë vendimmarrjet publike dhe të kërkojnë llogaridhënie nga institucionet. Kjo e drejtë duhet respektuar dhe garantuar në çdo rrethanë”.
Megjithatë, AGSH thotë se gazetarët nuk janë palë në protestë dhe se ata janë aty për të dokumentuar ngjarjen, për të informuar publikun dhe për të siguruar që zëri i protestuesve të dëgjohet nga një audiencë sa më e gjerë.
“Sulmet, intimidimet apo pengimi i punës së tyre nuk i shërbejnë kauzës së askujt dhe cenojnë të drejtën e publikut për t’u informuar”.
AGSH u bëri thirrje pjesëmarrësve në protestë dhe të gjithë qytetarëve që të tregojnë kujdes dhe respekt ndaj gazetarëve që raportojnë nga terreni, pavarësisht qëndrimeve që mund të kenë ndaj mediave apo mënyrës se si ato kanë mbuluar zhvillime të caktuara.
“Kritika ndaj mediave është legjitime në një shoqëri demokratike. Por ajo nuk duhet të shndërrohet në armiqësi ndaj gazetarëve individualë, të cilët shpesh punojnë në kushte të vështira dhe me përgjegjësinë për të sjellë informacion tek publiku”.
Shell Kosova ka lansuar në Kosovë karburantet e reja dhe të përmirësuara Shell V-Power, në një event special të organizuar...