Aventura e Arsim Thaqit te Dukagjini i Klinës ka përfunduar pas vetëm pak muajsh në krye të skuadrës.
Trajneri kosovar e mbyll rrugëtimin e tij menjëherë pas eliminimit të Dukagjinit nga FC Lugano në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës, ku ekipi klinas u mposht bindshëm.
Pavarësisht largimit, Thaqi do të mbetet në histori të klubit, pasi udhëhoqi Dukagjinin drejt trofeut të parë të Kupës së Kosovës, sukses që i siguroi edhe pjesëmarrjen në garat evropiane.
Sipas informacioneve të Gazetës Express, drejtuesit e klubit kanë vendosur tashmë për pasuesin e tij. Trajner i ri i Dukagjinit pritet të emërohet Armend Dallku.
Dallku vjen pas një sezoni të suksesshëm me Vushtrrinë, të cilën e shpalli kampione të Ligës së Parë dhe e riktheu në elitën e futbollit kosovar. Për të, ky do të jetë një rikthim në Klinë, pasi më herët ka drejtuar po ashtu Dukagjinin, duke lënë gjurmë me punën e tij në klub.