Arsenali futet në garë për Barcolan - Gazeta Express
string(35) "arsenali-futet-ne-gare-per-barcolan"

Futboll

Gazeta Express

18/06/2026 14:39

Arsenali futet në garë për Barcolan

Futboll

Gazeta Express

18/06/2026 14:39

Arsenali po shqyrton mundësinë e transferimit të sulmuesit anësor të Paris Saint-Germainit, Bradley Barcola, ndërsa Mikel Arteta synon të forcojë repartin ofensiv para sezonit të ri.

Sipas raportimeve të The Independent, “Topçinjtë” aktualisht kryesojnë garën për reprezentuesin francez, megjithëse edhe Liverpooli po monitoron nga afër situatën e tij.

Barcola raportohet se është i hapur për një kalim në Premier League, teksa e ardhmja e tij në Paris mbetet e paqartë.

23-vjeçari konsiderohet si një lojtar që mund të rrisë ndjeshëm cilësinë e formacionit të Arsenalit. Ai do të sillte konkurrencë të fortë për Gabriel Martinellin dhe Leandro Trossardin në krahun e majtë të sulmit.

Raportet sugjerojnë se Barcola po e mendon seriozisht largimin nga PSG këtë verë. Një nga faktorët që mund të ketë ndikuar në këtë vendim është fakti se ai nuk ishte titullar në finalen e Ligës së Kampionëve, ku PSG mposhti pikërisht Arsenalin.

Kampionët e Francës e vlerësojnë lojtarin rreth 60 milionë funte dhe preferojnë ta mbajnë në skuadër. Megjithatë, drejtuesit parisienë nuk e përjashtojnë mundësinë e një shitjeje nëse situata ndryshon gjatë merkatos.

Ndërkohë, Arsenali vazhdon të ndjekë edhe yllin e Aston Villas, Morgan Rogers, dhe nuk përjashtohet mundësia që londinezët të tentojnë transferimin e të dy futbollistëve gjatë kësaj vere.

Interesimi për Barcolan është rritur edhe më shumë pas paraqitjeve të tij me Francën në Kupën e Botës, ku ai shënoi në fitoren 3-1 ndaj Senegalit. Për këtë arsye, vendimi përfundimtar për të ardhmen e tij pritet të merret vetëm pas përfundimit të aventurës së Francës në Botëror. /GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement