Arianit, të fala Dejones dhe Albinit - Gazeta Express
string(35) "arianit-te-fala-dejones-dhe-albinit"

OP/ED

Gazeta Express

09/05/2026 9:05

Arianit, të fala Dejones dhe Albinit

OP/ED

Gazeta Express

09/05/2026 9:05

Nga “rasti po analizohet” te Franz Kafka, kur një prokurori fillon të trajtojë metaforat si procedurë penale dhe qytetari pret si Jozef K. të mësojë se për çfarë po hetohet. Me qesh me lot.

Baton Haxhiu

Mbrëmë e dëgjova zëvendëskryeprokurorin e Prokurorisë Themelore të Prishtinës në emisionin “Betimi në Drejtësi” dhe, për një moment, mendova se ndoshta do të vinte ai çasti i rrallë kur institucioni i Atianitit e kupton pashijen, mungesen e dijes juridike dhe disproporcionin e vet.

Mendova se pas gjithë kësaj historie do të vinte një moment reflektimi nga Prokuroria Themelore e Prishtinës. Mendova se dikush aty do ta kuptonte se pyetjet: “A e njihni Albin Kurtin?”

“A e dini ku e ka shtëpinë?”nuk i japin seriozitet një institucioni të drejtësisë.

Dhe sa më shumë fliste zëvendëskryeprokurori, aq më shumë rritej absurdi.

Me një gjuhë druri, që dukej sikur ishte shkruar nga një komision burokratik i viteve ’80, ai shpjegonte se “prokuroria ka vlerësuar se duhet të veprojë”, se “rasti po analizohet”, se “mund të ketë elemente inkriminuese”, se “kemi reaguar edhe në raste të tjera”.

Dhe pikërisht të këto sqarime dhe mungesa e edukatës jurirdike në fjalor,  fillon tragjikomedia.

Sepse një njeri normal, kur dëgjon fjalinë “rasti po analizohet”, mendon për korrupsion, krim të organizuar, kontrata milionëshe, zhdukje provash apo ndonjë rrjet kriminal.

Ndërsa në këtë rast “rasti” është një metaforë politike e thënë në studio televizive.

Dhe zëvendëskryeprokurori, me një qetësi që të frikëson më shumë se vetë absurdi, shpjegonte:

“Rasti po analizohet.”

Kjo është fjalia më poetike që kam dëgjuar ndonjëherë nga një prokurori.

“Rasti po analizohet.”

Imagjinojeni skenën. Një tavolinë. Disa dosje. Njerëz seriozë. Dejona aty si komesar i frazave letrare, dhe në mes të tyre një fjali televizive: “Ose jepjani 80 vota, ose largojeni me votë.”

Dhe tani republika pret analizën. Dhe një lexues dhe shikues pyet analizën e thellë që një grup praktikantësh ne prokurori analizojnë se si prokurorët në komunizëm kanë praktikuar analizen armiqësore te metaforave.

Dhe referuesi, si njohës i procedurave ne kohën e komunizmit ironizon;

Ndoshta po analizohet metafora.

Ndoshta po analizohet figura stilistike.

Ndoshta po analizohet nëse “80 vota” është kod sekret. Ose ndoshta po analizohet nëse fjala “hiqeni qafe” nënkupton zgjedhje, votë, lodhje politike apo ndonjë organizatë kriminale ndërkombëtare të figurave letrare.

Dhe më e bukura është se në Kosovën e lire Arianit Salihu e tha këtë me seriozitet institucional.

Pastaj erdhi fjalia tjetër brilante: “Kemi reaguar edhe në raste të tjera.” Kjo të qetëson shumë si qytetar, sepse tani e dim që nuk është rast i izoluar. Nuk është gabim momental. Është metodë pune.

Pra diku në Prokurorinë Themelore të Prishtinës mund të ekzistojë një arkivë e tërë me raste ku njerëzit kanë përdorur metafora në televizione dhe institucioni ka ndërhyrë heroikisht për ta mbrojtur shtetin nga gjuha figurative.

Dhe sinqerisht, aty fillon frika ime e vërtetë. Jo nga prokuroria që gabon, por nga prokuroria që nuk e kupton më pse po duket qesharake.

Sepse në një moment të caktuar absurdi bëhet aq i madh, sa institucioni pushon së prodhuari autoritet dhe fillon të prodhojë satirë pa e kuptuar. Dhe kjo është faza më e rrezikshme e një burokracie. Kur mendon se po mbron shtetin, ndërkohë që po e bën karikaturë vetveten.

Në një moment, duke e dëgjuar, më erdhi sinqerisht keq edhe për vetë Albin Kurtin, sepse ta mbrosh një kryeministër nga metaforat politike është mënyra më e keqe për ta poshtëruar atë.

Ta rrethosh pushtetin me njerëz në prokurori që e marrin budallallëkun seriozisht dhe e quajnë profesionalizëm, është fundi i botës.

Dhe para se të hapet ndonjë lëndë e re, po e sqaroj edhe këtë për Prokurorinë Themelore të Prishtinës:  Pra diku në këtë republikë mund të ekzistojë një arkivë e tërë e Prokurorisë me njerëz që kanë thënë:

“Po na mbyt politika.”

“Është fundi i botës.”

“Na hëngrën të gjallë.”

Dhe ndoshta dikush aty analizon seriozisht nëse politika posedon kapacitet fizik për mbytje, nëse bota realisht po përfundon dhe kush saktësisht po i ha qytetarët.

Dhe aty, pa e kuptuar, Prokuroria Themelore e Prishtinës hyn në territorin e Franz Kafkës.

Sepse në momentin që një institucion fillon të analizojë metaforat si raste të mundshme penale, qytetari fillon të ndihet si Jozef K. Çdo ditë pret të kuptojë nëse “rasti po analizohet”, nëse fjala e tij është e sigurt, nëse ndonjë figurë letrare ka kaluar kufirin e lejuar të imagjinatës procedurale.

Dhe tragjikja është se në letërsinë e Kafkës, askush nuk të tregonte kurrë saktësisht për çfarë akuzoheshe.

Të thoshin vetëm:

“Rasti po analizohet.”

Zakonisht, kur ka arsyetime dhe flitet për momente si këto, kur imagjinata procedurale e një institucioni arrin aty ku logjika juridike ka kohë që ka dhënë dorëheqje dhe u turpërua edhe publikisht.

Të fala Dejones dhe Albinit!

Advertisement
Advertisement
Advertisement