Shefja e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka mirëpritur ratifikimin nga Kuvendi i Kosovës të pesë marrëveshjeve ndërkombëtare.
Apostolova ka deklaruar se ratifikimi i këtyre marrëveshjeve ia mundëson pjesëmarrjen Kosovës në programet e BE-së.
“E mirëpres ratifikimin e ditës së sotme të marrëveshjeve në Kuvendin e Kosovës të cilat mundësojnë pjesëmarrjen e Kosovës në programet e BE-së Fiskalizimi 2020 dhe Doganat 2020. Pjesëmarrja në këto programe do t’i lejojë administratës tatimore dhe doganore të Kosovës të përmirësojë dhe të modernizojë funksionet e tyre, të forcojë bashkëpunimin dhe të shkëmbejë ekspertiza me autoritetet e shteteve anëtare të BE-së dhe përtej”, ka thënë Apostolova.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar pro miratimit të pesë marrëveshjeve ndërkombëtare, raporton Gazeta Express.
Për të gjitha këto marrëveshje që janë votuar ka pasur mbi 80 vota për, derisa, kësaj radhe kanë votuar edhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Marrëveshjet që u votuan sot:
Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për financim ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për Projektin e Fuqizimit të Sektorit Financiar.
Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin e Zhvillimit të Ujërave të Zeza në Gjilan.
Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Financimin e Projektit për Kadastër të Patundshmërisë dhe Infrastrukturë Gjeohapësinore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim.
Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi Pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit ‘Dogana 2020’.
Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës mbi Pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Bashkimit “Fiskalis 2020”./GazetaExpress/