Kombëtarja e Anglisë e drejtuar nga Thomas Tuchel është vetëm dy ndeshje larg një rekordi historik, që mund ta vendosë në majën e futbollit europian.
Nëse “Three Lions” arrijnë të mposhtin Serbinë dhe Shqipërinë në dy ndeshjet e fundit të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026, ata do të bëhen skuadra e parë që fiton 10 ndeshje zyrtare radhazi pa pësuar asnjë gol, duke thyer rekordin e Spanjës që daton nga periudha 2014–2016.
Në zemër të këtij suksesi qëndron disiplina taktike e vendosur nga Tuchel dhe forma e jashtëzakonshme e Harry Kane, i cili ka 26 gola në 20 ndeshje për klub dhe kombëtare këtë sezon.
Me 30 gola në “Wembley”, Kane është tashmë golashënuesi më i mirë i Anglisë në këtë stadium, dhe një tjetër gol do ta fuste në historinë e kombëtares si lojtari i katërt që shënon në pesë ndeshje radhazi.