Anëtari i PDK-së: Presidentja nuk ka guxim t’i mbrojë të drejtat e grave, flet për to vetëm kur i duhen për vota - Gazeta Express
string(109) "anetari-i-pdk-se-presidentja-nuk-ka-guxim-ti-mbroje-te-drejtat-e-grave-flet-per-to-vetem-kur-i-duhen-per-vota"

Anëtari i PDK-së: Presidentja nuk ka guxim t’i mbrojë të drejtat e grave, flet për to vetëm kur i duhen për vota

Lajme

Gazeta Express

15/04/2021 14:20

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi, po thotë se Presidentja e Vendit, Vjosa Osmani, nuk e ka guximin e mjaftueshëm për të mbrojtur të drejtat e grave, raporton Express

Gjoshi ka shkruar në Facebook se pas deklaratave të Hoxhës Shefqet Krasniqi për gratë, Osmanit iu deshën dy ditë për të bërë një reagim, të cilin ai e ka quajtur të zbehtë.

Lexo Edhe:

“Presidentja e Kosovës znj. Osmani, nuk e ka guximin e mjaftueshëm për të mbrojtur të drejtat e grave kur ato nëpërkëmbën nëpër studio televizive ose tjetërkund. Zonjës Osmani iu nevojitën dy ditë për të bërë një reagim të zbehtë në mbrojtje të pozicionit të grave në shoqërinë tonë”, ka shkruar Gjoshi.

Ai thotë se reagimi i Osmanit përmes dy vizatimeve, shfaq mungesën e guximit të saj për të reaguar.

“Reagimi i zonjës Osmani përmes dy vizatimeve të fëmijëve shfaq hapur mungesën e guximit për të reaguar siç duhet dhe siç i takon për shkak të pozicionit zyrtar. Të gjithë e dijmë se publikimi në InstaStory është i përkohshëm dhe postimet aty largohen automatikisht pas 24 orëve. Pra, zonja Osmani po don të duket sikur po reagon, por në fakt ajo nuk don që të reagojë siç duhet”, ka shkruar Gjoshi.

Ai tutje thotë se kjo mënyrë e të reaguarit nga Osmani tregon se Presidentja flet për të drejtat e grave vetëm kur i shërbejnë për vota.

“Ky taktizim i zonjës Osmani për të mos u përballur me hoxhallarë që nëpërmkëmbin të drejtat e grave, është një tregues i qartë se Presidentja e Kosovës flet për të drejtat e grave vetëm kur i shërbejnë për vota, por nuk i mbron ato kur kalkulon se mund të humbasë vota”, ka shkruar Gjoshi.

Ndryshe, Presidentja Vjosa Osmani të mërkurën ka publikuar në Instastory vizatime ku shkruhet se “vajzat e kanë vendin aty ku ato ëndërrojnë”.

“Vajzat e kanë vendin aty ku ëndërrojnë, dëshirojnë dhe punojnë për atë punë fort”, shkruhet në këtë foto që ka publikuar Vjosa Osmani, ku shihen edhe dy gra ushtare, fjali kjo të cilën Osmani e kishte thënë në Kuvendin e Kosovës, kur mori votat për Presidente./GazetaExpress/