Anëtarësimi i Kosovës në KiE “mbërrin” në Paris -Bakoyannis fillimisht çarmatosi krerët e shtetit - Gazeta Express
string(94) "anetaresimi-i-kosoves-ne-kie-mberrin-ne-paris-bakoyannis-fillimisht-carmatosi-kreret-e-shtetit"

Lajme

Gazeta Express

27/03/2024 14:46

Anëtarësimi i Kosovës në KiE “mbërrin” në Paris -Bakoyannis fillimisht çarmatosi krerët e shtetit

Lajme

Gazeta Express

27/03/2024 14:46

Sot në Paris pritet të bëhet hapi i parë drejt anëtarësimit të Kosovës në KiE. Aty pritet të votohet raporti i raportueses Dora Bakoyannis që përmban rekomandimin për anëtarësimin e Kosovës në KiE në mënyra që anëtarësimi të shkojë në faza tjera. Por, për ta bërë rekomandimin pro Kosovës, Bakoyannis u kujdes që t’i marrë disa zotime të Osmanit, Kurtit e Konjufcës që Kosova do t’i përmbushë pasi të anëtarësohet në KIE. Aty, përfshihet edhe themelimi i Asociacionit.

Gazeta Express

Lexo Edhe:

Qeveria që drejtohet nga kryeministri Albin Kurti është dorëzuar dhe çarmatosur plotësisht përballë kushteve të vendosura nga Raportuesja për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakoyannis. Kurti bashkë me presidenten e Republikës, Vjosa Osmani, dhe kryekuvendarin Glauk Konjufca, kanë nënshkruar një listë me zotime, që Kosova të pranohet si anëtarja më e re në Këshillin e Evropës.

Pas pajtimit për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, për t’ia regjistruar në emër të Manastirit të Deçanit 24 hektarët e shumë kontestuar, Kurti, Osmani e Konjufca, kanë pranuar edhe një listë të gjatë zotimesh, të hartuara nga Raportuesja Bakoyannis.

Në dokument, në fillim të listës, është zotimi që do të respektohet pavarësia e institucioneve të drejtësisë, përfshirë edhe përmbajtjen nga kritikat e vazhdueshme ndaj sistemit juridik dhe minimit të besimit në të. Kujtojmë se kanë qenë të shumta, rastet kur eksponentë të Qeverisë, përfshirë edhe kryeministrit Albin Kurti, që kanë drejtuar sulme të drejtpërdrejta ndaj institucioneve të drejtësisë, sidomos ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe Prokurorisë.

Në vijim është edhe një zotim, për të cilin ka folur edhe emisari amerikan, Gabriel Escobar, e që ndërlidhet me disa shpronësime në Veri të Republikës së Kosovës. Tre liderët e shtetit zotohen se ky proces do të bëhet vetëm në pajtim me ligjin dhe planin e Ahtisarit.

Gjithashtu, Kurti, Osmani e Konjufca pajtohen me zotimin tjetër për marrjen e të gjitha masave për të de-eskaluar situatën në Veri të vendit dhe për t’u përmbajtur nga vendimet që ndikojnë në të drejtat dhe kushtet e jetesës së komunitetit serb në Kosovë dhe që çojnë në çorientim të mëtejmë të situatës së sigurisë.

Përveç këtyre, treshja e liderëve zotohen për angazhim në ri-integrimin e serbëve në Policinë e Kosovës, gjyqësorin dhe në sistemin Prokurorial të Kosovës.

Një çështje tjetër për të cilën tre liderët janë zotuar ta përmbushin, është edhe përmbajtja nga përdorimit të njësive speciale të Policisë së Kosovës në Veri të vendit për të kryer punë të zakonshme të Policisë, gjë që është kërkuar me ngulm edhe nga Bashkimi Evropian në kushtet për de-eskalim.

Anash këtyre zotimeve që lidhen me funksionimin e institucioneve demokratike dhe të respektimit të sundimit të ligjit, kryeministri Albin Kurti, presidentja Osmani dhe kryekuvendari Glauk Konjufca, janë pajtuar me një varg zotimesh që lidhen edhe me të drejtat e minoriteteve.

Treshja që udhëheq me shtetin janë zotuar se do të sigurohen për implementim efektiv të kornizës ligjore për mbrojtje të komuniteteve dhe gjithashtu për të ndërmarrë hapa të prekshëm për implementimin e Marrëveshjeve të Brukselit e Ohrit, përshirë edhe themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, me specifikimin “sa më shpejt të jetë e mundur”.

Në fund, sa i përket raporteve ndërkombëtare, liderët e Kosovës zotohen për angazhim në procesin e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe për të respektuar zotimet e bëra në kuadër të Dialogut. Gjithashtu zotohen për ndërmarrjen e hapave të sinqertë për normalizim me Serbinë dhe për të zgjidhur mospajtimet në mënyrë paqësore dhe për të promovuar raporte të mira ndërfqinjësore në rajon.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që pas marrjes në drejtim të Qeverisë së Kosovës, është marrë në shumicën e kohës me Veriun e Kosovës dhe me procesin e dialogut me Serbinë. Për shkak të veprimeve të ndërmarra sa i përket zgjedhjeve lokale në Veri dhe dërgimit të kryerëve nëpër komuna me njësi speciale të Policisë së Kosovës, Kosova vazhdon të jetë edhe zyrtarisht nën sanksione të Bashkimit Evropian.

Pavarësisht kërkesave të BE-së për de-eskalim të situatës, Brukseli konsideron se Kosova ende s’ka plotësuar kërkesat plotësisht, që t’i hiqen masat.

Ndonëse nën masa, kryeministri Albin Kurti ka shtyrë përpara edhe vendimin për ndalimin e përdorimit të dinarit në veri të Republikës së Kosovës, Ky vendim ka çuar raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në nivelin më të ulët që kanë qenë ndonjëherë. Washingtoni zyrtar ka kritikuar Qeverinë Kurti për një vendim të tillë dhe kanë shprehur shqetësimin e tyre për impaktin që Rregullorja e re e BQK-së ka tek serbët lokalë. Pa kontestuar ligjshmërinë e vendimit dhe pavarësinë e institucioneve të Kosovës, SHBA ka ritheksuar se kritika e tyre ka të bëjë me mënyrën e implementimit të Rregullores së re të BQK-së.

Kryeministri Albin Kurti, ndonëse i ka pasur si dy kauza boshte, mbi të cilat është ngritur si parti në opozitë, tashmë ka pranuar implementimin e vendimit për 24 hektarët e Manastirit të Deçanit dhe zotohet edhe për implementim sa më të shpejt të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe./GazetaExpress/