Amorimi po planifikon të transferojë dy ish-lojtarë të tij te Milani - Gazeta Express
string(68) "amorimi-po-planifikon-te-transferoje-dy-ish-lojtare-te-tij-te-milani"

Sport

Gazeta Express

18/06/2026 17:20

Amorimi po planifikon të transferojë dy ish-lojtarë të tij te Milani

Sport

Gazeta Express

18/06/2026 17:20

Ruben Amorimi raportohet se po planifikon një lëvizje të dyfishtë me vlerë 85 milionë funte për dy nga lojtarët e tij të preferuar, pasi mori drejtimin e Milanit.

Amorim u shkarkua nga Manchester Unitedi në janar pas barazimit 1-1 me Leedsin, me largimin e tij që erdhi pasi ai kritikoi publikisht drejtuesit e klubit.

Ai u zëvendësua nga Michael Carricku, i cili fillimisht mori detyrën si trajner i përkohshëm, por më pas u emërua në mënyrë të përhershme pasi e udhëhoqi Unitedin drejt vendit të tretë në Premierligë dhe rikthimit në Ligën e Kampionëve.

Megjithëse ishte lidhur me disa vende të lira pune, Amorimi kishte shijuar një pushim të zgjatur nga futbolli.

Megjithatë, ai tani është rikthyer në stol, duke marrë drejtimin e Milanit pas shkarkimit të Massimiliano Allegrit pas një sezoni zhgënjyes në Serie A.

Portugezi nuk po humb kohë për të përforcuar skuadrën. Raportet pretendojnë se ai dëshiron të transferojë dyshen e Sportingut, Francisco Trincaon dhe Morten Hjulmandin.

Sipas “Sky Sport Italia”, të dy janë objektivat kryesorë të Amorimit, i cili beson se janë pikërisht profili i lojtarëve që i nevojiten Milanit për t’u rikthyer në nivelet më të larta pas përfundimit në vendin e pestë dhe mungesës në Ligën e Kampionëve.

Amorimi i njeh shumë mirë të dy futbollistët nga koha e tij te Sportingu, me të cilin fitoi titullin kampion në sezonin 2023/24 para se të merrte drejtimin e Manchester Unitedit.

Kapiteni i Sportingut dhe përfaqësuesi i Danimarkës, Hjulmandi, thuhet se ka një marrëveshje për t’u larguar këtë verë për rreth 35 milionë funte, pavarësisht se kontrata e tij përmban një klauzolë lirimi prej 69 milionë funtesh.

Ndërkohë, Trincao, i cili ka shënuar 47 gola që nga transferimi nga Barcelona, mund të blihet për rreth 51 milionë funte falë klauzolës së tij të largimit.

Kjo do ta çonte vlerën totale të marrëveshjes së mundshme të dyfishtë në 85 milionë funte, megjithëse Milani mund të përballet me konkurrencë për të dy lojtarët.

Manchester Unitedi është lidhur me Hjulmandin, ndërsa rivali Manchester City në të kaluarën është përmendur si klub i interesuar për Trincaon.

Reputacioni i Amorimit si një nga trajnerët e rinj më premtues në futbollin botëror u dëmtua rëndë pas dështimit të tij 14-mujor te Manchester Unitedi, ku e mbylli sezonin në vendin e 15-të në Premierligë dhe humbi finalen e Ligës së Evropës ndaj Tottenhamit.

Ai e përfundoi aventurën në “Old Trafford” me një përqindje fitoresh prej 38.1%, përpara se të shkarkohej. Tani synon ta lërë pas atë periudhë të vështirë dhe të ndërtojë një kapitull të ri te Milani, ku e pret një tjetër sfidë e madhe.

“Ka ambicie që të shoqërojnë gjatë gjithë karrierës dhe drejtimi i Milanit ka qenë gjithmonë njëra prej tyre,” tha Amorimi pas prezantimit të tij.

“E di saktësisht se çfarë përfaqëson ky klub: histori, prestigj dhe një bazë të jashtëzakonshme tifozësh në të gjithë botën. Është një sfidë që e pranoj me krenari dhe entuziazëm, plotësisht i vetëdijshëm për atë që përfaqësojnë këto ngjyra. Mezi pres të filloj dhe ta përjetoj çdo ditë pasionin që e shtyn Milanin përpara”, tha ai.

Milani i Amorimit do të përballet me ish-klubin e tij, Manchester Unitedin, në një ndeshje miqësore parasezonale më 15 gusht në Poloni./GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement