Albin Kurti i marrë peng nga dishepujt e tij - Gazeta Express

Albin Kurti i marrë peng nga dishepujt e tij

Shqiperi

Ermal Mulosmani

26/02/2020 17:42

Një nga tregimet më të bukura që unë kam lexuar është “Vrasja e Elefantit” e shkrimtarit të madh Xhorxh Orwell. Po e sjell të përmbledhur duke u përpjekur të ruaj esencën. Te plotë tregimin mund ta lexoni këtu

Personazhi kryesor i tregimit është një anglez me detyrën e shefit të rendit në një rajon policie të një qyteti birmanez në kohët kur Birmania ishte koloni e Anglisë (vitet 1886-1948). 

Ai ishte një i ri që mendonte se imperializmi ishte një gjë shumë e keqe. Teorikisht ai ishte pro birmanezëve dhe kundër shtypësve të tyre, anglezëve (njëri prej të cilëve ishte vetë ai). Por, në praktikë, ai kishte një urrejtje edhe ndaj “egërsirave të vogla birmanezë që nuk linin  rast pa ia nxirë jetën dhe shprehur urrejtjen”.

Ky ishte qerthulli ku ishte mbërthyer jeta e personazhit deri sa një ditë, dikush e njofton se një elefant ia kishte mësyrë pazarit dhe kishte bërë dëme të mëdha, ndër të cilat, kryesorja ishte mbytja e një lope. Njerëzia ishin të frikësuar dhe, helbete, kërkonin ndihmën e të plotfuqishmit të policisë…

Personazhi ishte i bindur se nuk duhej ta mbyste elefantin. Ai ishte i racës së butë, kishte një pronar-kujdestar (i cili për një arsye absurde ishte shumë larg nga ngjarja) dhe në përgjithësi ishte i parrezikshëm. Njiheshin momente të tilla kur elefantët kalonin “kriza” pas të cilave qetësohshin vetvetiu si me magji… Por një zbulim i beftë i dha tjetër dimension ngjarjes. Një birmanez i vdekur, i zbuluar në një pellg balte me sy të zgurdulluar,  ishte viktima e fundit e elefantit!

Kjo ishte për t’u marrë seriozisht. Turma e cila dilte nga çdo derë kasolleje për t’iu bashkuar marshimit të shefit drejt elefantit rritej pas çdo kasolleje!

Kur elefanti ua sulmoi shtëpinë ata nuk kishin shumë interes, tani që një anglez do të luftonte me elefantin ata ishin në ekstazë.  Heroit po i dilte situata nga kontrolli. Kur kthen kokën sheh mbrapa rreth 2 mijë birmanezë të vegjël e gjysëm të zhveshur që u shndrisnin sytë dhe brohorisnin “Vrite, vrite”!

Dikush e njofton se elefanti nuk është shumë larg dhe e orienton….

Kur mbërrijnë te elefanti  e gjejnë të qetë duke kullotur bar. Kishte ndoshta 30 minuta në atë gjendje, dalldia i kishte kaluar. Këtë e konfirmojnë edhe disa birmanezë të tjerë që kishin kohë që e sodisnin.  Në një situatë normale, shefi do të largohej me bindjen se rreziku kishte kaluar. Këtë po mendonte me vete kur e pa dhe dëgjoi fjalët e banorëve. Do priste edhe pak për t’u siguruar dhe do kthehej…

Por në momentin që kthen kokën nga turma, ai pa se kishte humbur lirinë për të zgjedhur! Dy mijë vullnete kërkonin nga ai të mbyste elefantin, dy mijë vullnete e shtynin atë përpara dhe ai ishte thjesht një kukull që vërtitej tutje- tëhu në duart e birmanezëve të varfër e të paarmatosur!

Për të theksuar forcën e ndikimit  të turmës birmaneze, personazhi shpjegon se ai nuk ishte një qitës i mirë, dhe, nëse e shtëna e parë nuk ishte vdekjeprurëse për elefantin, shanset e tij për të jetuar ishin sa të një thithlope nën rrulin e asfaltimit. Pra megjithë frikën e madhe ai ishte i destinuar të argëtonte turmën, të gjuante mbi elefantin e ngratë që po kulloste i qetësuar…

Që të mos bëhej gazi i botës ai qëllon elefantin, turma kalon në brohoritje triumfuese.

Kjo është fuqia ndikuese e turmës. Dhe e një turme të nënshtruar, të varfër, aspak kryengritëse e të paarmatosur.

Tani për ta aktualizuar me realitetin politik shqiptar, sa herë ka çështje të ndjeshme politike, reagimet e militantëve politikë më kujtojnë sjelljen e birmanezëve dhe shefit anglez të policisë. Turma kërkon të ushqehet me cirk, militantët kërkojnë të sulmojnë kundërshtarët.

Më së shumti e kam vënë re këtë fakt tek militantët e Vetvendosje!. Unë kam mik të afërt njërin prej tyre. Shpesh i them: “Moderohuni se keni ardhë në pushtet, ndiqeni ju Albinin, mos e detyroni atë t’u ndjekë ju”. Ai zbardhet nga inati. Kompromisi shihet si shitje e kauzës, tradhti. Unë I dukem si njeri pa kauzë pa ideal. Kur i thoja që duhet të tolerojnë pushtet, të bëjnë lëshime ndaj Amerikës, qoftë edhe për mirënjohje” më përmendte dinjitetin. 

Me 06 Tetor, momentin kur rezultati zgjedhor bë i qartë dhe u kuptua që VV ka marrë mjaftueshëm vota për të qenë e para në zgjedhje, një arrogancë e madhe u vërejt menjëherë në studion televizive nga mbrojtësit e Lëvizjes!

Në fakt duhej të ishte krejt e kundërta, duhej të ishte një përulësi mirënjohëse ndaj zgjedhësve e jo një ulërimë hakërruese ndaj të sfiduarve. Para ca ditësh kisha një shkrim mjaft dashamirës ndaj zotit Kurti ku i qaja hallin për pozitën e vështirë ku e ka vënë një tokmak si Grenelli. Miku im, i cili i lexon i pari shkrimet e mia, më reagoi i mërzitur “ Mirë shkrimi  por ke gabuar kur thua që Albini i ka dy këmbët në një këpucë”. Për atë nuk ka burrë nëne që t’i fusë këmbët në një këpucë Albin Kurtit! Kjo idhujtari po e dëmton më së shumti Albinin. Unë jam i sigurtë që ai është peng i militantëve të vet. Ai po gjen elefantë për të vrarë pikërisht për të argëtuar militantët.

Sot elefanti ishte Thaçi.

Kur lexova në mëngjes që është zbuluar marrëveshja sekrete për veriun e Kosovës, isha  i bindur se bëhej fjalë për marrëveshjen Thaçi-Vuçiç për ndërrimin e territoreve. Ky po, do ishte zbulim skandaloz. Por, të zbulosh që Thaçi ka rënë dakort me amerikanët, që këta të fundit të kontrollojnë kufirin e Kosovës e ky qenka skandal, kjo është thjesht qesharake. Shqipërisë atdheut tonë të dashur, ia ruan kufinjtë Frontex-i një strukurë evropiane që ka sjellë 50 oficerë të saj dhe 16 patrulla me lejen e Kryeministrit Rama. Këtu nuk ka asgjë për të fshehur. Të zgjedhësh NATO-n si partner i bën nder Hashim Thaçit e Kosovës. Në fakt e vërteta është që nuk ka qenë zgjidhja e Thaçit, ka qenë vendimi i NATO-s.

Për ta mbyllur, në respekt të inteligjencës së Albin Kurtit, unë mendoj që bërja publike e një dokumenti të tillë, aq më tepër si zbulim armiqësor, ka qenë një nevojë e brendshme e pakuptueshme, e pashpjegueshme, e zotit Kurti për t’u shkuar mbrapa militantëve të vet, për t’i ushqyer ata. Kjo është mjaft e dëmshme për të ardhmen.

Albin Kurti është zgjedhur për të udhëhequr militantët jo për t’u udhëhequr prej tyre.