Akrasia - Gazeta Express
string(7) "akrasia"

Gazeta Express

31/12/2019 12:16

Akrasia

Gazeta Express

31/12/2019 12:16

Politikanët në Kosovë vuajnë nga ajo që Aristoteli e quante “akrasia”, një gjendje kur njeriu e di saktë se çfarë është mirë të bëhet, por gjithë kohën e bën të kundërtën.

Shkruan: Blerim Latifi

Lexo Edhe:

Në vitet ’90 të shekullit të kaluar, Mehmet Kraja e pat shkruar një libër me titull “Vitet e humbura”. Mbase duhet shkruar një libër i ri për vitet e fundit, me të njëjtin titull!  Dikush mund të thotë se ky është kualifikim ekstrem. Sigurisht, gjithçka mund të diskutohet, por kur njeriu ndalet dhe u hedh një vështrim retrospektiv viteve të fundit, nuk ka se si të mos ndjehet i zhgënjyer nga zhvillimet që mbushin kohën e këtyre viteve.

Janë vite gjatë të cilave shteti ynë, pas entuziazmit të dy – tre viteve të para të pavarësisë, është futur në një gjëndje të stagnimit të përgjithshëm. Procesi i përmbylljes së shtetformimit ka mbetur në vend, dhe nëse është për t’i marrë seriozisht deklaratat e diplomacisë serbe, atëherë është edhe në prapakthim.

Procesi i njohjeve të shtetit të Kosovës nuk ka avancuar nga dita kur ky proces u la në dorën tonë, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ministrat tanë të jashtëm nuk i kanë sjellë asnjë rezultat konkret Kosovës, përveç pasurimit të albumit të tyre personal, të cilin kur të plaken mund t’ua tregojnë nipërve dhe mbesave të tyre.

Në planin e brendshëm, ajo që është më e rëndësishmja, zhvillimi ekonomik, nuk ka shënuar ndonjë avancim me të cilin do të mund të mburreshim. Tregu i zbrazur nga produktet e Serbisë për shkak të taksës, është mbushur me produkte të shteteve të tjera.

Prodhimi vendor vazhdon të mbetet prapa të tjerëve, në të gjitha pikëpamjet. Sektorët e tjerë vitalë të shoqërisë si shëndetësia dhe arsimi, vazhdojnë të jenë keq. Kosova vazhdon të jetë eksportuesi më i madh i pacientëve në rajon, ndërsa arsimi vazhdon me traditën gati tridhjetë vjeçare të improvizimit në mësimdhënie dhe mësimnxënie. Për herë të dytë PISA na vendosi në fund të pusit për kualitetin e edukimit të cilin ua japim fëmijëve tanë. Përveç mungesës së investimeve serioze dhe traditës së improvizimit, arsimin në Kosovë sot është duke e rrënuar edhe mentaliteti i nepotizmit që ka zënë rrënjë të thella në institucionet e shtetit.

Pse duhet të lodhesh duke harxhuar vite të tëra studimi, kur ke mundësinë të bësh karrierë në shtet edhe pa pasur kualifikimet e verifikuara profesionale?! Mjafton të krijosh një lidhje klienteliste me ndonjë të fortë të politikës, ose në rast tjetër të jesh farefis me të, dhe të gjitha dyert e shtetit i ke të hapura krah e krah.

Arsimi merr vlerë në një shoqëri ku karriera varet nga meritokracia profesionale, ndërsa në kushtet e shoqërive nepotiste vlera e tij përfundon në mbushjen formularëve të konkurseve publikë, të cilët kontrollohen dhe dirigjohen nga shefat e pushtetit, për llogari të klientelave të tyre.

Në gjithë këto vite, pak nga pak, është krijuar bindja e thellë se sot në Kosovë mund të bësh përpara vetëm nëse ke të “njofshëm në institucione”. Po nuk i pate, të mbeten dy rrugë : të ulësh kokën dhe të pajtohesh me mjerimin, ose të gjesh një rrugë disi për të ikur në Perëndim. Derisa po i shkruaj këto fjali, nuk e kam ndjesinë se po them diçka të re.

Në asnjë mënyrë. Këto janë gjëra të mirënjohura e të jetuara në Kosovë, pothuajse nga të gjithë. Ajo që duket edhe më brengosëse është mungesa evidente brenda politikës kosovare e një gatishmërie konsensuale për t’u thënë mjaft këtyre dukurive të shëmtuara, të cilat shumicës së qytetarëve janë duke ua bërë të pajetueshëm atdheun e tyre. Ka retorikë kundër këtyre dukurive, por rrallë, për të mos thënë hiç, veprime reale kundër tyre. Politikanët në Kosovë vuajnë nga ajo që Aristoteli e quante “akrasia”, një gjendje kur njeriu e di saktë se çfarë është mirë të bëhet, por gjithë kohën e bën të kundërtën.

Tani kur jemi në fund të vitit 2019, gazetarët kanë filluar të debatojnë se kush duhet të zgjidhet personaliteti i këtij viti, një praktikë kjo e njohur në mediat perëndimore, e cila ka për qëllim të evidentojë personalitetet që kanë pasur ndikimin më të madh në shoqëri gjatë një viti. Konsideroj se askush nga politika në Kosovë nuk e meriton të quhet Personaliteti i Vitit dhe këtë e them jo nga pikëpamja e matjes së ndikimit, por nga pikëpamja etike.

Viti 2019 është viti gjatë të cilit politika kosovare ka vazhduar të bëj keq punën për të cilën është e ngarkuar. Ajo është marrë më shumë me veten, se me problemet reale të qytetarëve.

Pjesën e parë të vitit e çuam kot duke mos lënë gjë pa i thënë njëri tjetrit për korigjimin e kufijve dhe taksën. Zbuluam tradhtarë e patriotë me bollëk, por nuk arritëm t’u japim një arsye të vetme qytetarëve për ta ruajtur besimin tek e nesermja. Ata që ëndërrojnë bashkimin kombëtar, duhet të ndjehen deri diku të gëzuar, sepse tanimë e kemi hedhur hapin e parë konkret drejt bashkimit : kemi bashkuar akuzat reciproke midis Prishtinës dhe Tiranës!

Në fillim të pjesës së dytë të vitit mbetem pa qeveri, shkuam në zgjedhje dhe tani kur po hyjmë në vitin e ri ende nuk kemi qeveri të re. Ata që fituan zgjedhjet në emër të ndryshimit dhe qeverisjes ndryshe, tani po na tregojnë se janë thjesht të të njëjtit brum me qeveritarët e djeshëm. Kape njanin e mshoj tjetrit, thotë një fjalë popullore.

Nuk po vazhdoj më tutje, sepse në fund i duhet lënë vendi shpresës, siç thuhet në mitin e lashtë të Pandorës. Gëzuar Viti i Ri 2020!