Agjencioni i Kosovës për Anti-Doping reagon ndaj deklaratave shokuese të Dajakut në “Favorit” - Gazeta Express
string(91) "agjencioni-i-kosoves-per-anti-doping-reagon-ndaj-deklaratave-shokuese-te-dajakut-ne-favorit"

Futboll

Moral Pozhegu

04/03/2024 15:27

Agjencioni i Kosovës për Anti-Doping reagon ndaj deklaratave shokuese të Dajakut në “Favorit”

Futboll

Moral Pozhegu

04/03/2024 15:27

Agjencioni i Kosovës për Anti-Doping ka reaguar sot ndaj deklaratave të mbrëmshme të Taulant Dajakut.

I ftuar në emisionin “Favorit” në T7, ish-futbollisti i njohur kosovar deklaroi se ekzistojnë fakte se futbollistët në vendin tonë përdorin doping.

Lexo Edhe:

Madje, panelisti i “Favoritit” shkoi edhe më larg duke u shprehur i bindur se edhe në Superligën e futbollit përdoret dopingu.

E sot, Dajaku është kontaktuar nga ky agjencion, i cili i konsideron si të ngutshme deklaratat e tij.

Koordinatori i Agjencionit të Kosovës për Anti-Doping, Bernard Tahirbegolli në bisedë me “Gazetën Express”, thotë se ish-futbollisti i Drenicës, Prishtinës e Ferizajt duhet të japë fakte nëse ka, që në Kosovë përdoret dopingu, ose të tërhiqet dhe të kërkojë falje për këto deklarata publike.

“Ne e kemi kontaktuar sot Taulant Dajakun. Ai duhet të sjell dëshmi për ato që i ka thënë në emision. Këto janë akuza, janë fjalë publike, për të cilat duhet dhënë përgjegjësi. Pra, ose duhet të japë fakte ose duhet të tërhiqet me falje publike. Përndryshe, Komisioni Disiplinor do ta suspendojë atë pasi me këtë rast bëhet shkelje e rregullit të antidopingut”, deklaroi fillimisht Tahirbegolli për “Express”.

Specialisti i Mjekësisë Sportive në Qendrën Kombëtare të Mjekësisë Sportive tutje jep detaje për veprimtarinë e Agjencionit të Kosovës për Anti-Doping, i cili vepron si komision brenda Komitetit Olimpik të Kosovës, i themeluar me pëlqimin e Qeverisë së Kosovës.

Sipas tij, ky agjencion i teston kohë pas kohe sportistët e sporteve të ndryshme, ndërsa tregon se pjesa më e madhe e testimeve u përkasin futbollistëve, pa bërë dallime se në cilën kategori luajnë ata.

Ai zbulon se deri tash, nga krejt analizat që janë bërë, asnjë sportist nuk ka rezultuar pozitiv në testin e antidopingut në Kosovë.

“Ne i testojmë rregullisht sportistët dhe deri tash nuk e kemi suspenduar asnjë sportist pasi s’kanë dalë pozitivë. Në vitin 2023 i kemi bërë 90 testime, ndërsa 30 për qind e tyre janë bërë në futboll, pra pjesa më e madhe e tyre. Varësisht se sa e kemi buxhetin, e kemi edhe mundësinë e numrit të testimit të sportistëve. Për çdo vit buxheti po rritet, tash për tash nuk e di se sa teste do të bëhen sivjet”, vazhdoi Tahirbegolli.

Ai tutje shton se, pasi Kosova nuk ka laborator të vetin, mostrat e testeve dërgohen në Austri, prej nga edhe jepen rezultatet.

Tahirbegolli ndër të tjera shton se ky agjencion ka marrëdhënie të shkëlqyeshme me krejt Federatat, përfshirë këtu edhe me atë të futbollit, prej së cilës thotë se kanë marrë informata sa herë që kanë kërkuar.

Testimet e sportistëve, sipas tij, nëse ka ndonjë dyshim tek ndonjë sportist, nuk e kanë një vend të caktuar për t’u bërë, pasi ato kryhen qoftë në ndonjë kamp, në stërvitje, apo pas ndeshjeve kampionale apo të Kupës.

Vlen të përmendet se për këtë temë mbrëmë në “Favorit” foli edhe analisti i emisionit, Ismet Munishi, i cili u shpreh se për sivjet nuk e di nëse ka pasur kontroll pasi nuk ka qenë i angazhuar si trajner, por insistoi se në edicionin e kaluar ka pasur kontrolle të antidopingut për sportistë, respektivisht për futbollistë në këtë rast.

Në sportin e pasluftës është folur vazhdimisht për përdorimin e dopingut nga ana e sportistëve, por deri tash nuk ka pasur diçka konkrete dhe të faktuar në këtë drejtim. /Gazeta Express/