Kryeministri në detyrë, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha se konstituimi i Kuvendit “do të mund ta vështirësonte mandej marrëveshjen potenciale dhe evitimin e zgjedhjeve të radhës”.
Ai tha në një konferencë për media pas ndërprerjes së seancës konstituive se i duhet “kohë shtesë” për diskutime.
“Prandaj na duhet të marrim kohë shtesë për diskutime, dhe vetëm atëherë kur ta kemi arritur dakordimin për çështjen e Presidentit, të procedojmë me konstituimin e institucioneve të tjera”, tha ai.
Kurti tha se konstituimi i Kuvendit dhe zgjedhja e qeverisë së re është “e kotë” pa zgjidhjen e çështjes së Presidentit paraprakisht, megjithëse sipas Gjykatës Kushtetuese, nesër në mesnatë përfundon afati për konstituimin e Kuvendit.
“Herën e kaluar e pamë se pa e zgjidhur çështjen e Presidentit, kot e konstituojmë Kuvendin apo e votojmë e formojmë qeverinë, sepse vendi u desh të shkonte në zgjedhje”, tha ai.
“Është e nevojshme t’i kthehemi diskutimeve për ta zgjidhur çështjen e Presidentit, dhe, kur ta kemi një marrëveshje, ta ftojmë vazhdimin e seancës konstituive. Pra, kur të jemi të siguruar që kemi bërë çdo gjë për të evituar shkuarjen edhe në një palë zgjedhje të panevojshme për shtetin, të paarsyeshme për qytetarët, e të dëmshme për buxhetin dhe ekonominë”, tha Kurti.
Në një aktgjykim në tetor të vitit të kaluar lidhur me çështjen e zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga komuniteti serb, Kushtetuesja rikujtonte se i ka urdhëruar deputetët që ta konstituojnë Kuvendin “brenda 30 ditëve nda data e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve”.
Sipas kësaj përllogaritjeje, afati për konstituimin e Kuvendit skadon nesër në mesnatë.
